Auto

Tesla nxjerr Model Y më të lirë në Kinë


Tesla, prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike, ka prezantuar një version më të lirë të Modelit Y në Kinë, ku po përballet me një vëzhgim të shtuar nga rregullatorët dhe publiku dhe një konkurrencë në rritje nga rivalët vendas.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se Shoqata e Makinave të Pasagjerëve në Kinë (CPCA) ka deklaruar se shitjet e automjeteve të prodhuara nga Tesla në Kinë pësuan rënie në muajin qershor.

Kompania automobilistike, e cila prodhon në Shanghai sedanë Model 3 dhe automjete sportive si Model Y, ka shitur 33 mijë e 155 automjete të prodhuara nga Kina, përfshirë ato për eksport, krahasuar me 33 mijë e 463 përgjatë muajit maj.

Megjithatë shitjet e brendshme në Kinë u përmirësuan me Tesla-n që arriti të shesë 28 mijë e 138 makina të prodhuara nga Kina në muajin qershor krahasuar me 21 mijë e 936 në muajin e kaluar.

Ndërkohë, aksionet e Tesla-s ranë me 1.2 për qind pas lajmit të nxjerrjes së versionit më të lirë dhe ishin vendosur të binin për një sesion të tretë radhazi.

Versioni i ri i makinës Modeli Y me rreze standarde ka një çmim fillestar prej 276 mijë juan, pasi të merren parasysh subvencionet qeveritare, afro 20 për qind më pak se një model Y me rreze të gjatë.

Reuters shkruan se ulja e çmimit lejon modelin e saj bazë Y të përfitojë nga subvencionet, të cilat u ofrohen automjeteve të reja të energjisë me çmim nën 300 mijë juan.

Edhe vitin e kaluar, Tesla lëshoi ​​një Model Y me rreze standarde në faqen e saj në internet, pasi shefi ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk, pohoi se diapazoni ishte “papranueshëm i ulët” në më pak se 250 milje.

Versioni i ri, i cili përdor bateri fosfat hekuri litium të CATL-së shkon deri në 525 kilometra për karikim, krahasuar me 594 kilometra për versionin me rreze të gjatë.

Muajin e kaluar në Kinë, BYD arriti të shesë 40 mijë e 532 të ashtuquajturat automjete të reja energjie, të cilat përfshijnë bateri elektrike dhe automjete hibride plug-in. Edhe sipërmarrja e General Motors Co së bashku me SAIC Motor arriti të shesë 30 mijë e 479 makina të tilla.

CPCA-ja ka thënë gjithashtu se Kina shiti 1.6 milionë makina pasagjerësh përgjatë muajit qershor, me një rënie prej 5.3 për qind nga një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore