Lajme

Tërmeti, kryeministri grek flet me presidentin turk


Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka telefonuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të shprehur ngushëllimet e tij dhe për të përsëritur gatishmërinë e Greqisë për të ofruar ndihmë.

Kjo sipas zyrës së tij.

“Erdogan falënderoi Mitsotakis për mbështetjen dhe ndihmën e menjëhershme”, tha zyra e kryeministrit grek në një deklaratë.

Me kërkimet në vazhdim, raportimet vendore tregojnë një numër prej të paktën 1498 personash, të cilët kanë humbur jetën në Turqi.

Teksa, në Siri, bilanci ka shkuar në 810 të vdekur dhe mijëra të plagosur deri tani.

Këto shifra, të vërtetuara edhe nga ministritë përkatëse të shëndetësisë.

Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.

Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.

Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.

Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.

Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.

Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.

Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore