Shqipëria

Tepelena – nga një xhep fals – pikë turistike


“Një aks i rëndësishëm për fermerët dhe bujtinat e kësaj zone, por edhe si një pikë turistike”.

Kështu e ka përshkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, rrugën që bën të mundur lidhjen mes dy qyteteve të jugut Tepelenë-Vlorë.

Kryeministri dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë inspektuar punimet në aksin rrugor Dukaj-Sinanaj dhe Salari – Nivicë, që së bashku me segmentet Bënçë-Lekdush, Gusmar-Kuç si dhe Lotin 3 të rrugës së Lumit të Vlorës do të lidhin Tepelenën me Përmetin dhe bregun e Jonit.

“Këto akse e kthejnë Tepelenën nga një xhep fals”, ka potencuar Rama, “në një pikë të lëvizjes për turistët, qoftë për ata që vijnë nga juglindja, Tirana apo jugu”.

Përveç sa më sipër, gjatë përshkimit të këtij aksi rrugor, do të jepet mundësia për “zbulimin gradual të Tepelenës dhe peizazheve të saj skenike natyrore”.

Ministrja ka bërë me dije se punimet janë gati në përfundim dhe se në shtator rruga do të jetë gati.

Më tej, gjatë inspektimit të punimeve, numri një i qeverisë tha se rrugët në zonat turistike nuk duhet të jenë të gjera dhe se kanë parametrat e tyre nga Zvicra dhe Franca.

Kjo, pasi në këto zona nuk ka “prezencë trafiku dhe mundësojnë lëvizjen vetëm për këto zona”.

Rruga, e cila do të ketë një gjatësi 14 km në Salari, do të lidhë qytetin e Tepelenës me Nivicën.

Kjo do të jetë një pikë turistike për t’u shijuar nga turistët, të cilët do të kenë një motiv tjetër për të ndaluar dhe për t’i vizituar këto zona.

Balluku, në fjalën e saj, ka sqaruar se investimi ka kushtuar 3.7 milionë euro dhe se për të ka kontribuuar Bashkimi Evropian.

Segmenti dikur ishte pjesë e rrugës nacionale deri në vitet 1970, kur u ndërtua rruga që të çonte në Memaliaj.

Në pjesë të caktuara, rruga e re shtrihet përgjatë gjurmës së rrugës së vjetër, të ndërtuar nga italianët që prej Luftës së Parë Botërore, por që atëherë nuk ishte vënë dorë mbi të.

Rruga Gusmar-Kuç

Kryeministri Rama bënte të ditur në gusht të 2019 se do të nisnin së shpejti punimet për ndërtimin e rrugës Gusmar-Kuç.

Asokohe Rama do të shprehej se malet e mrekullueshme të Tepelenës, do të kthehen në rrugëkalimin drejt bregdetit Jon.

Rruga lidh Tepelenën, Gjirokastrën dhe Përmetin me rrugën e Lumit të Vlorës dhe bregun e detit.

Rruga do të ketë ndriçim, trotuare, vepra arti si dhe zona parkimi e pushimi.

Së bashku me rrugën e lumit të Vlorës, rruga Gusmar-Kuç do të jetë shtysë e fuqishme për shfrytëzimin e potencialeve turistike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërtimi i kësaj rruge, është një investim i konsiderueshëm që ka një implikim të drejtpërdrejtë në rrugët dytësore që lidhin Tepelenën me rrugët kombëtare.

Përditësimi i punimeve

Në faqen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në gusht të 2020, shkruhej se punimet do të realizohen brenda afateve.

Në deklaratë shkruhet se prej investimit janë realizuar rreth 52% e punimeve – referuar vitit të kaluar – në gërmim dhe mbushje.

Ky projekt, shkruan FSHZH-ja, është pjesë e “paketës së ndërhyrjeve”, ndërthurur më rrugën e Lumit të Vlorës dhe Bençë –Lekdush.

Prej kohësh një domosdoshmëri infrastrukturore për të vënë në lëvizje agroturizmin në zonë, si dhe tregtinë e produkteve bujqësore e blegtorale. Dhe jo vetëm. Më pranë bregdetit dhe më pranë shërbimeve kryesore në qendrat përkatëse të bashkive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore