Shqipëria

Tentuan arratisjen, Gjykata e Tiranës jep vendimin për 3 të burgosurit


Gjykata e Tiranës ka dhënë masë të re sigurie “arrest me burg” për tre të dënuarit që tentuan arratisjen nga burgu 313 në Tiranë.

Arbër Çekaj është shprehur se ai nuk ka dashur që të largohet vetë nga burgu, por ka ndjekur në mënyrë instiktive Fatmir Pjetrin.

Sipas Çekajt, plani i arratisjes ka qenë i Pjetrit.

“Unë nuk kam goditur asnjë polic, i ndikuar nga gjendja e rënduar psikologjike, për shkak të burgosjes së babait tim, kam ndjekur në mënyrë instiktive Fatmir Pjetrin, kur e pashë duke u larguar. Nuk ka qenë meritë e policisë, ndalimi im, por vetë unë jam kthjelluar se kjo nuk është zgjidhje”, tha ai.

Më tej, ai shtoi, se “ka qenë plani i Fatmirit, gjë që ai e ka pohuar dhe vetë”.

“Kam qenë me kafe në dorë dhe kur e kam parë të largohej e ndoqa nga pas, pa e ditur se ku po shkonte. Kjo është e vërteta e vetme dhe gjithë të tjerat janë spekulime”.

Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri dhe Lulzim Çepele janë akuzuar për dy vepra të reja penale “Tentativë arratisje” dhe “goditje për shkak të detyrës”.

Lulzim Çepele kishte dorën të fashuar gjatë seancës, pasi preu damarët, në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e gardianëve, që dy shokët e tij të mund të arratiseshin nga zona e ajrimit.

Gjatë tentativës për t’u larguar, Pjetri ka qëlluar me sende të forta dhe një prej gardianëve të burgut, i cili bëri të mundur dhe dështimin e arratisjes së tyre.

Arratisja nga burgu

Të dielën e 8 gushtit, forcat policore të burgjeve kanë parandaluar një tentativë për arratisje të dy të paraburgosurve që ndodhen në këtë institucion, Arbër Cekaj dhe Fatmir Pjetri.

Sipas policisë, dy të paraburgosurit e kanë organizuar tentativën për arratisje në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Dyshohet se tentativë para arratisjes i ka paraprirë një incident i kryer nga një i paraburgosur tjetër, i cili ka tentuar të presë damarët e dorës, duke tërhequr kështu vëmendjen e forcave të sigurisë.

Të paraburgosurit kanë tentuar që të kryejnë arratisjen gjatë orarit të ajrimit, të cilët janë pikasur nga punonjësit e policisë së burgut 313, të cilët kanë marrë masat e duhura të menjëhershme për kapjen dhe neutralizimin e tyre.

Gjatë tentativës për të dalë, dy të paraburgosurit kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore.

Në lidhje me ngjarjen grupi hetimor po kryejnë hetimin e thelluar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe kryerjen e veprimeve proceduriale për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe autorëve të saj brenda dhe jashtë institucionit.

Dënimi i Çekajt

Më 18 qershor, pas përfundimit tё seancёs gjykuese nё Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), avokati i Arbёr Çekaj, Maks Haxhia foli jashtё dyerve tё gjykatёs.

Haxhia u shpreh se dënimi u dha pa asnjё provë dhe se, sipas tij, u shkel “perspektiva e mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.

“Gjykata është kthyer në notere të prokurorisë. Ajo nuk i dha tё drejtёn Çekajt pёr t’u mbrojtur në konkluzionet përfundimtare”, tha Haxhia.

Sipas tij, Gjykata nuk e la Çekaj tё fliste dhe ky i fundit e solli me shkrim gjithё mbrojtjen e tij.

Apeli i Posaçëm shpalli ditën e premte vendimin për Arbër Çekajn dhe të arrestuarit e tjerë, për trafikimin e 613 kg kokaine.

GJKKO vendosi të dënojë me 14 vite burg Arbër Çekajn, 10.8 vite burg Donaldo Lushajn dhe me 8.8 vite Armando Pezakun.

Gjykimet janё me kohё tё shkurtuar, sipas informacioneve pranё GJKKO.

Dёnimet fillestare kanё qenё 21 vite burg pёr Cekajn, 14 vite pёr Lushajn dhe 10 pёr Pezakun.

Kush është Fatmir Pjetri

Fatmir Pjetri, i njohur ndryshe me nofkën “Babagjyshi”, u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Amsterdami/Holandë drejt vendit tonë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët), që gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hague, u bë i mundur arrestimi i tij në Holandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore