Lajme

Tentimi për t’ia marrë kompetencat NjSI-së është “hakmarrje” e Kurtit dhe “vendim arbitrar”


NjSI - Foto nga Albanian Post

Si “hakmarrje” dhe “vendim arbitrar” po shihet nga njohës të çështjeve të sigurisë vendimi i kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, për t’ia marrë kompetencat për luftimin e terrorizimit Njësisë Speciale Intervenuese, njësiti më elitë i Policisë së Kosovës dhe për t’ia kaluar të njëjtat njësisë që e ka formuar vetë – Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë (NjNSH).

Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, çdo cenim i kompetencave të kësaj njësie, sidomos ne këtë periudhë sfiduese për vendin është “veprim i pamenduar mirë” dhe mund të interpretohet si “veprim inatçi” për shkak të protestës së tyre.

“Kjo do ketë impakt të drejtpërdrejtë në uljen e moralit të punës jo vetëm të kjo njësi, por edhe tek njësitë tjera të specializuara dhe pothuajse te të gjithë punonjësit e policisë, pa përjashtuar edhe qytetarët”, tha Hoxha për Albanian Post.

Për Hoxhën – me një komunikim të sinqertë duke e vendosur interesin e vendit mbi interesat grupore momentale – është e mundur të tejkalohet çdo situatë dhe të gjendet zgjidhje optimale.

“Vlerësoj që ndryshimi eventual duhet të bazohet në nevojat reale operative dhe vetëm pas një analize serioze dhe kualitative të të gjitha rrethanave dhe nevojave të vendit. Pas rezultateve të shkëlqyeshme të kësaj njësie, e sidomos pas zbrazjes së grupit terrorist në Banjë, vlerësoj që këtë njësi duhet mbështetur tutje për ta avancuar edhe më shumë”, shtoi ai.

Kurti fillon hakmarrjen ndaj NjSI-së, i zhvesh nga kompetencat për terrorizmin | Albanian Post

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj, bën një analogji interesante rreth vendimit të Qeverisë për “hakmarrje” ndaj NjSI-së.

“Kjo është sikur t’ia marrësh kompetencat mjekut kardiolog dhe të ia japësh pulmologut. Këtë punë (të jashtëligjshme) e ka bërë kryeministri me këtë akt hakmarrës kundër NJSI-së, çka ka sjellë në dobësimin e kapaciteteve për luftimin e krimit të organizuar në vend”, potencoi Gecaj për AP.

“Është vendim arbitrar, sepse një ndërhyrje e tillë nuk është kompetencë as e kryeministrit e as kujtdo tjetër në hierarkinë shtetërore. Pjesëtarët e NjSI kanë kryer trajnime specialistike rezultatin e të cilave e pamë edhe me rastin e eliminimin të grupit terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjë”.

Ndërkaq për Nuredin Ibishin, ish-këshilltar për polici i ministrit të MPB-së dhe ish-këshilltar në zyrën e kryeministrit, ndryshime të tilla mund të ndodhin brenda policisë, por sipas tij, fillimisht duhet bërë vlerësimi paraprak nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.

“Drejtori i Policisë mund ta propozoj një ndryshim eventual të organigramit dhe është kompetencë e ministrit të Punëve të Brendshme ta miratoj ose jo. Por, ky ndryshim kërkon kohë të caktuar, duhen trajnime, nuk mundet brenda natës të bëhet një ndryshim i tillë”, ka shpjeguar Ibishi.

Prandaj edhe ish-ushtaraku thotë se ky është “vendim arbitrar” i Qeverisë, meqë njësiti nuk është rebeluar, por e ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për një protestë.

“Nuk është as e logjikshme as ligjore. Policët nuk kanë bërë grevë për ta refuzuar punën, por kanë kërkuar kushte më të mira. Nuk duhet të ketë masa ndëshkuese, pasi ata kanë shfrytëzuar një të drejt ligjore që ju takon”, theksoi ai.

Çfarë saktësisht ka ndodhur?

Nga brenda Policisë së Kosovës është hartuar një Projekt rregullore për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës në policinë e Kosovës.

Në këtë projekt rregullore që Albanian Post e posedon, në Nenin 36 për Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese, në gjashtë pika janë ndarë detyrat e NjSI-së, në këtë ndarje askund nuk figuron që kjo njësi vazhdon të ketë në kompetencën e vet luftën kundër terrorizimit, për çka edhe është e trajnuar dhe e specializuar.

Pika 1.1 thotë se NjSI-ja “harton procedurat standarde të operimit për njësitë dhe azhurnimin e tyre sipas nevojës”.

Në pikën 1.2 thuhet se NjSI “planifikon, mbikëqyr dhe koordinon aktivitetet e personelit të PKS-së brenda drejtorisë”, kurse në pikën 1.3 përcaktohet që NjSI-ja “harton raportet periodike në kuadër të drejtorisë”.

Pika 1.4 vazhdon me saktësimin se NjSI “vlerëson dhe jep miratim final për planifikimin taktik/operacional”.

Në pikën 1.5 përcaktohet që “bënë sigurimin e transportit të parave” dhe pika e fundit, 1.6, thotë se “kryen punë të tjera të parapara me ligj dhe akte të tjera nënligjore”.

Kjo dëshmon se në këtë riorganizim, NjSI ka mbetur pa kompetencën që e kishte më parë.

Por, pas një presioni të madh publik dhe disa shqetësimeve te partnerët ndërkombëtarë drejtuar organeve të Kosovës, aktualisht rregullorja e re nuk ka marrë miratimin final dhe gjendet në proces në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Për shkak të kësaj situate të komplikuar, i komplikuar ishte edhe reagimi i Policisë së Kosovës përmes faqes së tyre në Facebook.

Aty nuk mohohet heqja e kompetencave, përveç se thuhet që “njësive speciale i është kushtuar rëndësi e veçantë, duke i ngritur nga siç ka qenë Divizion i Njësive Speciale, tani në Departament të Njësive Speciale, përfshirë këtu edhe avancimin e NJSI-së nga Njësi në nivel të Drejtorisë”.

FIT/NjSI, që u themelua në vitin 2007, kryen operacione të sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballen njësitet tjera të policisë.

Është grupi më i vogël në polici për nga numri i anëtarëve, por grupi më profesional dhe efikas. Ata angazhohen në rastet kur përmbushja e detyrave zyrtare të mbrojtjes së jetës dhe pasurisë paraqet rrezikshmëri tejet të lartë për rendin dhe sigurinë në përgjithësi dhe për pjesëtarët e policisë.

“Nuk keni bërë gjë me 24 shtator, i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca” – Ekskluzive: Fjalitë brutale që Albin Kurti ua tha Specialëve në takimin e 15 nëntorit | Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore