Shqipëria

Tenderi me uniformat e policisë, Gjykata e Lartë kthen për rigjykim vendimin e Apelit


Gjykata e Lartë e Tiranës në seancën e 10 nëntorit për çështjen e tenderit të uniformave të policisë ka kthyer për rigjykim vendimin e Apelit.

Kjo e fundit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tetë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme.

Përkatësisht për shtatë nga zyrtarët është masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për njërin prej tyre “arrest shtëpie”.

Ishte një hetim i Strukturës së Posaçme (SPAK), që solli verifikimin në abuzimin me fondet publike nga këta zyrtarë.

Të gjithë të dyshuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

SPAK-u ka njoftuar se shkeljet janë realizuar nga anëtarët e Njësisë së Prokurorimit, shtetasit Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani.

Gjithashtu në shkelje rezultojnë të kenë qenë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Kreshnik Bejkaj, Faymir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj.

Të gjithë këto shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Halit Valteri, i cili bashkë me kolegun Myslim Murrizi, në gusht të vitit 2020, e patën denoncuar rastin pranë SPAK-ut, për Albanian Post, ka thënë se dyshimet e para i kishin kur panë shifrën dhe fituesin e tenderit.

Prandaj, sipas tij, vendosën që lëndën për këtë çështje ta dorëzojnë në SPAK, duke shpresuar që tenderi me vlerë 25 milionë euro, që përfshinte blerjen e uniformave për Policinë e Shtetit deri në vitin 2023, do të zbardhej.

Denoncimi në SPAK

Murrizi dhe Valteri, më 3 gusht të vitit 2020, e kanë dorëzuar në SPAK padinë lidhur me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit të vitit 2019.

Para mediave, ai do të sqaronte se ishte informuar nga persona të tjerë të cilët i kishin dorëzuar dokumentacionin mbi shkeljet e bëra në atë tender.

“Kam dorëzuar të gjitha provat që kanë lidhje me detajet, kartat teknologjike, shpallja e parë për katër vite, numri i artikujve 762 mijë, ulja drastike deri në 30% të këtyre artikujve dhe ruajtja e së njëjtës vlerë”, ka thënë ai.

Murrizi i bëri thirrje SPAK-ut që ta hetojë detajisht tenderin, meqë sipas tij firma fituese nuk kishte lidhje me rrobaqepësi, por ishte firmë që merrej me gërmime dheu.

Në kallëzimin e dorëzuar nga Valteri dhe Murrizi, ministri i Brendshëm në atë kohë, Sandër Lleshaj, akuzohej për pesë vepra penale.

Fituese e tenderit, të zvarritur për gati një vit, ishte kompania D&E shpk, me një ofertë prej 26 milionë dollarësh, 5 milionë më shumë se kompania turke, Genç Taahhüt Giyim.

Sipas deputetëve të opozitës, në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave (KOV) ishin tre anëtarë, të cilëve iu bë presion që të diskualifikohej kompania e renditur e para, e cila plotësonte të gjitha kriteret, dhe që ofronte edhe 5 milionë dollarë më pak.

“Mirëpo”, sqarojnë deputetët, “për të shtypur rezistencën e tyre në këtë komision u shtuan papritur edhe dy anëtarë të rinj pa asnjë shpjegim, duke e çuar numrin në pesë persona”.

“Më pas gara u zhvillua me një komision prej tre anëtarësh duke shpallur fituese kompaninë D&E shpk e cila kishte dhe vlerën më të lartë të ofruar, çka sipas deputetëve është provë e qartë se fituesi ka qenë i paracaktuar”, thonë ata.

Adresimi në Kuvendin e Shqipërisë

Disa ditë para se ta dorëzonte lëndën në SPAK, Murrizi kishte deklaruar në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë se, tenderi për uniformat megjithëse kishte nisur një vit më parë, kishte “ngecur në ingranazhet e korrupsionit brenda Ministrisë së Brendshme”.

Sipas tij, nuk mund të mos dyshohej në një tender që kishte nisur “me njësi dhe palë për katër vite” dhe ishte tjetërsuar më pastaj duke u bërë “tender unik dhe pa vite”. Po ashtu, Murrizi ka theksuar se “nga 726 mijë e 43 artikuj të shpallur” për tenderin me vlerë 23 milionë euro, numri është ulur “në 486 mijë artikuj, ose 30% më pak”, mirëpo vlera ka mbetur e njëjtë.

Myslim Murrizi po paralajmëron krijimin e një partie të re? Deputeti e zbulon: Këtë e di vetëm... - Gazeta Bulevard
Ish-deputeti Myslim Murrizi

Më tutje, Murrizi ka akuzuar Partinë Socialiste që para se ta merrte pushtetin në vitin 2013, pikërisht kompaninë e cila e ka fituar tenderin, pretendonte ta denonconte për 25 milionë euro të marra nga Ministria e Mbrojtjes e qeverisjes paraprake, në periudhën kohore 2009-2013.

Në fund të adresimit, ai ka ftuar SPAK-un që “të mos fle gjumë dhe të mos bëhet qesharak ende pa filluar punën dhe pa u ngritur në këmbë”

Dokumenti i kallëzimit në SPAK

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore