Lajme

“Të studiosh” brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës


Ilustrim

Interesimi i të rinjve në Kosovë për të studiuar në vendet e Bashkimit Evropian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur dukshëm.

Përveç dëshirës, për të studiuar jashtë shtetit do një kosto më të madhe financiare, të cilën jo të gjithë maturantët ose studentët kosovarë e kanë si mundësi.

Në anën tjetër mbështetja financiare nga institucionet e arsimit në vend është shumë e ulët, krahas interesimit.

Studimi jashtë vendit, si pjesë e edukimit të studentit, konsiderohet nga shumë analistë edukimi, si një nga mënyrat më efektive për studentët, sepse lidhet me zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të tyre individuale, të cilat janë shumë të kërkuara dhe të nevojshme në ditët e sotme të një mjedisi global.

Eksperienca e studimit jashtë vendit, i mëson studentit të dalin jashtë zonës së komfortit dhe të përjetojë diversitetin në kultura, gjuhe, mënyre jetese dhe sistemet e edukimit si dhe të jetë në gjendje të dallojë diferencën dhe të vlerësojë ato në një formë të shëndetshme.

Përveç këtyre, eksperiencat në mësimdhënie dhe mësimnxënie janë diametralisht të ndryshme.

Enea Abazi, studente nga Prishtina, kishte mundësinë e shkollimit edhe jashtë kufijve. Kjo i dha mundësi asaj që të përjetoj direkt jetën studentore në dy botë të ndryshme, rrjedhimisht edhe të bëj krahasime.

“Vitin e parë të studimeve e përfundova në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Juridik. Pata fatin të studioj me profesorë e asistentë si të rinj, edhe të shtyrë në moshë. Kjo më mundësoi ta njoh procesin e mësimnxënies nga dy anë të ndryshme”, fillon rrëfimin për Albanian Post, Enea, e cila u nxit për të studiuar në UP si shkak i konkurrencës së madhe për të fituar të drejtën e studimit në Universitetin Publik.

Pas përfundimit të vitit të parë në Fakultetin Juridik, ajo zgjodhi të sfidonte veten. Për një jetë studentore më intriguese. Enea aplikoi dhe u pranua në Universitetin Queen Mary, në Londër të Anglisë.

Kalimi nga sistemi ligjërues i Universitetit të Prishtinës në atë të “Queen Mary” për Enean “ka qenë pothuajse më i vështirë se kalimi nga shkolla e mesme në universitet”, shprehet ajo.

“Përveç kalimit nga ligjëratat në gjuhën shqipe në atë angleze, ndryshim i madh ishte qasja e profesorëve sa i përket mësimdhënies”, tregon Abazi.

“Kam vërejtur që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për profesorët të ishin të sigurt se a ishim ne studentët duke kushtuar vëmendje gjatë ligjëratave. Mësimi shpesh ndërpritej nga profesorët, vetëm për të qenë të sigurt që studentët kishin një ide të qartë të materialit mësimor”, ka rrëfyer ajo.

Këtë eksperiencë në Queen Mary, ajo e krahason me ditët e kaluara në Universitetin e Prishtinës.

“Kam vërejtur që profesorët në UP insistojnë në përdorimin e një ose dy librave të vetëm sa i përket lëndës së tyre, zakonisht botime të tyre, të profesorëve. Ndërsa në Queen Mary, studentët prezantoheshin me disa tituj të ndryshëm, por me përmbajtje të njëjtë, dhe u jepej mundësia të zgjidhnin atë që iu përshtatej”, shpjegon më tej Abazi.

Njohësi i çështjeve të arsimit Rinor Qehaja thotë se sjellja e ligjëruesit në universitetet e Kosovës, ndaj studentëve duhet të ndryshoj drejt përshtatjes së praktikave evropiane.

“Arroganca e profesorëve universitar karshi studentëve nuk ka kuptim as moral por as profesional aq më shumë kur një numër shumë i madh i tyre nuk arsyetojnë titujt e tyre. Është vet tregu dhe vetëdijesimi në rritje i maturantëve që do të balancoj” kërkesën për studime në universitete publike”, ka treguar Qehaja.

Ai theksoi se “studentët nuk kanë nevojë për arrogancë e nënçmim, por për cilësi në studime, programe të shkëmbimit, praktika profesionale që e kompletojnë përvojën e tyre studentore dhe kompetencën profesionale” theksoi Qehaja.

Faktorët të cilët po ndikojnë në rritjen e numrit të studenteve të interesuar për studime në vende evropiane, janë të shumta.

“Emigrimi i të rinjve ka shumë faktor mirëpo në mendimin tim besoj që është shumë i lidhur me padrejtësinë, pra, perceptimi i tyre për padrejtësinë sociale dhe ekonomike në vend. E burim i këtij perceptimi është edhe vet sistemi arsimor – sistemi jonë arsimor nuk prodhon të rinj të aftë për treg të punës që u siguron një punë të mirëfilltë, por u ofron një diplomë për çfarëdo pune, që dikur kthehet në dëshpërim”, tha Qehaja.

Sipas statistikave të Erasmus+ nga viti 2015 deri tani, numri i studentëve për të studiuar jashtë shtetit është rritur për 851 studentë.

Në vitin 2015 ishin 554 studentë të interesuar të studiojnë jashtë vendit ndërsa në vitin 2019  ky numër ka shkuar në 1405.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore