Shqipëria

Të rinjtë shqiptarë ‘joshen’ nga modalitetet e BE-së, thotë Xhumari për AP


Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë tri dekadave të fundit.

Emigracioni është kthyer në fenomen krejt “normal”. Çdo ditë shifrat “flasin negativisht”.

Dhe bazuar në këto të fundit, Instituti i Statistikave tregon se në 7 vitet e fundit janë larguar nga vendi mesatarisht rreth 37 mijë qytetarë çdo vit, ose 1.2 % e popullsisë.

Pedagogia e politikave sociale, Merita Xhumari, tregon për Albanian Post se faktori kryesor në emigracionin e shqiptarëve është mundësia për të punuar jashtë vendit.

Duke cituar shifrat e INSTAT, ajo bën me dije se 84% janë për këtë arsye, “pasi papunësia mbetet një nga problemet më të mëdha në vend, krahas standardeve më të larta te jeteses, cilësisë më të mirë dhe mundësive për t’u arsimuar, kualifikuar, shërbimet publike dhe kujdesi shëndetësor”.

“Të dhënat tregojnë se dominojnë emigrantët në moshat më aktive 20-50 vjeç, të cilët janë nga kategoritë më të ndjeshme ndaj dinamikave të tregut të punës”.

Numri i papunësisë në vend sipas INSTAT është 11. 5%, me një rënie me 2.2% krahasuar me 5 vite më parë, megjithatë sipas Xhumarit problemi qëndron edhe te politika e sigurimit në rast papunësie.

“Ka filluar te aplikohet nga vitit 1994, por ajo ka mbetur ne kuadrin e politikave pasive, prandaj ka nevoje te zgjerojë fushën e aplikimit, jo vetëm për të punësuarit, por edhe për të vetëpunësuarit që dominojnë strukturën e tregut të punë”.

Megjithatë, sipas pedagoges, përderisa punësimi mbetet shkaku kryesor i emigracionit, të drejtat sociale të lidhura me punësimin mbeten parësore për qeverine, te reflektuara në Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi e shtrirë deri në 2022.

Ajo tregon se “si rezultat i përparësive të grave në politikat e punësimit, në dy vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme të punësimit të grave në raport me burrat”.

“Punësimi i grave kërkon rritjen e shërbimeve publike, vaçanërisht shërbimet për fëmijët dhe lehtësira të tjera për gratë që të çlirohen nga barra e detyrimeve familjare që mbeten tipike për shoqërinë shqiptare”.

Ndërsa, për sa i përket emigrimit të të rinjve, Xhumari thotë se “joshen” nga BE.

“Sot ka një pjesë të madhe të të rinjve që emigrojnë se kërkojnë shance më të mira jashtë vendit, në kushtet e lirisë së lëvizjes, zgjedhjes së profesionit, të edukimit dhe kualifikimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore