Lajme

Të rinjtë kinezë po i fuqizojnë demonstratat


Fundjavën e kaluar, në protestat e zhvilluara në Kinë u shfaqën të rinj, në protestën e tyre të parë publike.

Ata kërkuan në rrugët e qyteteve të tyre çlirim nga politika zero-COVID që ka qenë në fuqi për gati tre vjet.

Në Shanghai, protestuesit ishin të qetë në fillim. Ata ishin mbledhur për të nderuar viktimat e një zjarri në një bllok apartamentesh në rajonin perëndimor të Xinjiang.

Por nën vëzhgimin e rreptë të policisë, ata u pikëlluan. Ata mbajtën letra boshe në shenjë proteste, vendosën lule, heshtën.

Pastaj filluan të bërtisnin: “Liri! Ne duam liri! Fund bllokimeve!”

Teksa nata kalonte, turma bëhej më e madhe dhe më e guximshme. Në orën 03:00 me orën lokale të së dielës ata brohorisnin: “Xi Jinping, largohu! Xi Jinping, largohu!”

“Kam parë shumë, shumë njerëz të zemëruar në internet, por askush nuk kishte dalë ndonjëherë në rrugë për të bërë një protestë”, ka thënë një i ri.

Madje, ai kishte marrë me vete edhe kamerën për të xhiruar ato që i quante ngjarje historike.

“Është kuptimplotë të kesh këtë asamble. Ndjej se ky do të jetë një kujtim i çmuar për mua”, ka shtuar ai.

Edhe një vajzë e re e ka parë atë moment si tejet emocionues.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në jetën time në Kinë”, ka treguar ajo.

“Ndjehet si lehtësim. Më në fund ne mund të mblidhemi për të thënë diçka që kemi dashur ta thoshim prej kohësh”, ka vijuar e reja.

Politika zero-COVID i ka vjedhur vitet më të mira asaj.

Brezi i saj ka humbur të ardhurat dhe mjetet e jetesës, mundësitë për arsim dhe udhëtim. Të bllokuar në izolim për muaj të tërë, ata u detyruan të anulonin planet.

Ata ishin “të zemëruar, të trishtuar, të pafuqishëm”.

Thirrje të ngjashme u dëgjuan në disa qytete të mëdha anembanë vendit atë fundjavë.

“Nëse nuk flasim sepse kemi frikë se mos diskreditohemi, mendoj se njerëzit tanë do të zhgënjeheshin prej nesh”, ka theksuar ajo.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore