Lajme

Të paktën 21 të vdekur nga zjarret në malet Urale dhe Siberi


Të paktën 21 persona kanë nderuar jetë nga zjarret në malet Urale të Rusisë.

Zjarret kanë shpërthyer në rajonin Kurgan të Uraleve dhe në Siberi gjatë gjithë javës.

Mediat lokale raportuan se shumica e të vdekurve ishin njerëz të moshuar që nuk mund të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Sipas autoriteteve, shumë nga vdekjet kanë ndodhur të dielën në fshatin Yuldus, në provincën Kurgan në kufirin midis Uraleve dhe Siberisë.

Një banor i provincës Tyumen të Siberisë perëndimore vdiq në përpjekje për të shuar zjarrin.

Zyrtarët e shërbimit rajonal të urgjencës thanë se numri i të vdekurve mund të rritet. Gjendja e jashtëzakonshme u vendos në provincën Kurgan, ku më shumë se 5 mijë ndërtesa janë djegur.

Zjarret kanë përfshirë gjithashtu mijëra hektarë në provincën Sverdlovsk dhe zona të provincave Omsk dhe Tyumen të Siberisë.

Gjatë një vizite në provincën Kurgan të hënën, ministri rus i situatave emergjente, Aleksandr Kurenkov, tha se vendbanimet nuk ishin më në rrezik nga flakët, megjithëse media lokale raportoi se zjarret ende digjen atje, si dhe në Sverdlovsk dhe Tyumen.

Shërbimi i monitorimit të atmosferës së BE-së Copernicus (Cams) tha se të dhënat treguan “zjare aktive që digjen në një brez që shtrihet nga rajoni rus Chelyabinsk në rajonet Omsk dhe Novosibirsk deri në Primorye në lindjen e largët, duke prekur gjithashtu Kazakistanin dhe Mongolinë”.

Mark Parrington, një shkencëtar i lartë në Cams, tha se “shkalla dhe intensiteti i zjarreve aktuale po reflektojnë rrezikun e shtuar të zjarrit pas disa javësh kushtesh më të thata se zakonisht”.

“Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë t’i monitorojmë këto kushte ndërsa i afrohemi verës kur sezoni i zjarrit fillon të arrijë kulmin e tij”, tha ai.

Vitet e fundit, Rusia ka përjetuar zjarre veçanërisht të përhapura në pyje, për të cilat ekspertët fajësojnë verat jashtëzakonisht të thata dhe temperaturat e larta.

Zjarret në pyje ishin veçanërisht të këqija në vitin 2021, kur u shkatërruan më shumë se 18.16 milionë hektarë, një rekord që nga fillimi i monitorimit satelitor.

Zjarri që shpërtheu në Siberi atë vit ishte më i madh se zjarret në Greqi, Turqi, Itali, SHBA dhe Kanada së bashku.

Një vit më parë, Vladimir Putin u kërkoi autoriteteve të ndërmarrin veprime më të forta për të parandaluar zjarret dhe për të rritur koordinimin midis agjencive zyrtare në trajtimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore