Shqipëria

‘Të nisin negociatat me Shqipërinë’, Meta përshëndet qëndrimin e Qeverisë bullgare


Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, në një postim në median sociale Facebook, ka përshëndetur qëndrimin e Qeverisë së Bullgarisë, e cila ka propozuar nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Ka qenë ambasadori bullgar në Bashkimin Evropian, Rumen Aleksandrov, i cili tha se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.

“Përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003”, shkruan Meta.

Ai ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë çdo hap, që çon sa më parë drejt anëtarësimit evropian, në përmbushje të objektivit strategjik kombëtar.

Nga ana tjetër ka theksuar se mbetet me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës.

“E përshëndes qëndrimin dinjitoz të autoriteteve maqedonase për të vijuar të palëkundur në kursin pro-evropian të reformave që u shërbejnë qytetarëve dhe aspiratës për anëtarësim në BE”, ka finalizuar presidenti.

Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Qëndrimi amerikan

Bullgaria duhet të arrijë një “zgjidhje përfundimtare” të mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që ajo, së bashku me Shqipërinë, të fillojnë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian “para fundit të vitit”.

Ky ishte apeli i dy anëtarëve të Komitetit të Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Claudia Teni (Republikane) dhe William Keating (Demokrat), drejtuar ambasadorit të Sofjes në Washington, Tihomir Stoychev.

Letra e shkurtër nuk jepte detaje se si mund të ndodhte kjo, por shkonte në një linjë me komentet e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë në muajt e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore