Lajme

Të moshuarit në Kinë protestojnë për shkurtimin e përfitimeve shëndetësore


Në Kinë, turmat e pensionistëve kanë dalë sërish në rrugë për të protestuar kundër shkurtimeve të përfitimeve të tyre mjekësore.

Ata u mblodhën të mërkurën e 15 shkurtit për herë të dytë në Wuhan, ku u zbulua për herë të parë COVID-i. Po ashtu edhe në qytetin verilindor Dalian.

Raundi i dytë i protestave në shtatë ditë ushtron presion mbi administratën e Presidentit Xi Jinping vetëm disa javë përpara Kongresit Kombëtar Popullor vjetor, i cili do të sjellë një ekip të ri udhëheqës.

Fillimisht, protestat u zhvilluan në Wuhan më 8 shkurt, pasi autoritetet provinciale thanë se po ulnin nivelin e shpenzimeve mjekësore që pensionistët mund të kërkojnë nga qeveria.

Protestuesit, nga videot që qarkulluan në mediat sociale, janë kryesisht pensionistë të moshuar, të cilët thonë se kjo vjen në një kohë të rritjes së kostove të kujdesit shëndetësor.

Paçka se çështje të tilla të sigurimit shëndetësor trajtohen në nivel provincial, protestat janë përhapur në pjesë të ndryshme të vendit në atë që duket të jetë një besim i rinovuar në fuqinë e demonstrimit në Kinë.

Në fund të vitit të kaluar, mijëra të rinj kinezë morën pjesë në protesta që përfundimisht detyruan qeverinë të përmbyste masat e rrepta zero-COVID.

E gjitha pasi njerëzit ishin lodhur nga testimi masiv dhe bllokimet e papritura, gjithëpërfshirëse që kishin shkatërruar ekonominë.

Por ndryshimi i papritur në politikë e vuri sistemin mjekësor të Kinës nën një tendosje të madhe, pasi coronavirus-i u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin.

Çka çoi në një numër të panjohur vdekjesh.

Ndërkohë, ndryshimet në përfitimet shëndetësore për pensionistët, të cilat zyrtarët i kanë përshkruar si reforma, vijnë pikërisht kur Kina del nga ajo valë brutale COVID-i.

Plani është shitur si një mjet për tregtimin e niveleve të rimbursimit për të rritur shtrirjen e mbulimit për të përfshirë më shumë zona.

Sidoqoftë, kritikat e planit në mediat sociale kanë përfshirë pikëpamjen e përhapur se zyrtarët kinezë po përpiqen të rikuperojnë shumat e mëdha të parave të shpenzuara për testimin e detyrueshëm dhe masa të tjera pandemike.

Videot e shpërndara në mediat sociale shfaqin protestues të moshuar duke kënduar himnin komunist. Në të kaluarën, kjo këngë është përdorur si një mjet për të treguar se demonstruesit nuk janë kundër qeverisë ose Partisë Komuniste, por thjesht duan që ankesat e tyre të zgjidhen.

Tre vitet e krizës pandemike të ndjekura nga një dalje e trazuar nga politika zero-COVID kanë gjeneruar pakënaqësi të konsiderueshme publike mbi politikat shëndetësore të Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore