Lajme

Të mërkurën KQZ-ja shqyrton pezullimin e PSD-së


Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, këtë të mërkurë, do të shqyrtojë rekomandimin për pezullimin e Partisë Socialdemokrate, meqë kjo parti nuk ka organizuar në afatet e caktuara Kuvendin zgjedhor të partisë.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se PSD-ja ka pasur për obligim të mbajë konventën zgjedhore deri më 15 dhjetor.

Tani sipas rekomandimit, PSD-së do t’i jepet afat shtesë prej 45 ditësh për organizim të kuvendit zgjedhor.

PSD-ja, në anën tjetër, ka thënë se “do ta rregullojë këtë çështje brenda” këtij afati.

Mbledhja e KQZ-së do të mbahet me fillim nga ora 13:30, ndërsa në rend dite është edhe rekomandimi për pezullimin e partisë politike Lëvizja për Bashkëveprim dhe rekomandimi për shlyerjen e borxheve të partive politike dhe subjekteve politike për periudhën 2014-2020 nga Regjistri i llogarive të arkëtueshme.

Elezi ka thënë se Lëvizja për Bashkëveprim ka pasur obligim që ta organizojë konventën zgjedhore deri më 8 dhjetor. Ai ka shtuar se “nëse partitë politike nuk mbajnë konventën/kuvendin zgjedhor as pas këtij afati shtesë, atëherë, sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ me vendim e çregjistron atë”.

Partitë politike të regjistruara në Kosovë e kanë për obligim ligjor që të mbajnë kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit të partisë dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore