Lajme

Të martën seanca e radhës ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit


Të martën do të mbahet seanca e radhës në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në kalendarin e publikuar në faqen Dhomave të Specializuara në Hagë, shkruan se më 16 shkurt 2021, në orën 11:00, mbahet konferenca për ecurinë në çështjen “Prokurori kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit”.

Ndërkohë, tri ditë më parë ekipi mbrojtës i ish-inspektorit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një parashtresë, përmes së cilës e sfidon formën e ndjekjes penale të Selimit në kuadër të asaj që Specialja po e quan “Ndërmarrje e përbashkët kriminale’’.

David Young dhe Geoffrey Roberts, avokatë të Selimit, kanë thënë se “Ndërmarrja e përbashkët kriminale” është konstrukt i krijuar përmes një analize selektive të një numri të kufizuar të çështjeve pas Luftës së Dytë Botërore dhe konventave ndërkombëtare.

Muajin e kaluar Gjykata Speciale kishte refuzuar kërkesën e avokatëve për lirimin me kusht të ish-komandantëve të UÇK-së. Tani kërkesa është në Gjykatën e Apelit.

Në aktakuzën e konfirmuar për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuhet se midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtator të vitit 1999, ata kanë kryer krime lufte.

Katër krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë që nga koha e konfirmimit të aktakuzës, nëntor 2020.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore