Lajme

Të martën nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës


Pjeter Shala.

Të martën e 21 shkurtit, do të filloj gjykimi ndaj Pjetër Shalës i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit të Dhomave të Specializuara.

“Deklaratat hyrëse të ZPS-së, Mbrojtësit të Viktimave dhe Mbrojtjes, për të cilat secilës palë do t’i caktohen nga 2 orë, do të mbahen në të njëjtën datë dhe më 22 shkurt, ndërsa paraqitja aktuale e provave do të fillojë më 27 mars 2023”, thuhej në njoftim.

Më 25 janar, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që gjykata t’ia vazhdojë masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.

Kjo pasi prokuroria konsideron se vazhdimi i paraburgimit të Shalës mbetet i domosdoshëm dhe proporcional dhe se asnjë fakt apo rrethanë e re nuk ka ndërhyrë që të mund të ndryshojë këtë konstatim.

Gjykata Speciale.

“Përkundrazi, data e afërt e fillimit të gjykimit dhe rrethanat shtesë, si kërkesa e Prokurorisë për të ndryshuar listën e provave me katër transkripta të intervistave të dëshmitarëve të rinj të ZPS-së, rrisin rrezikun e pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme nga të akuzuarit”.

Tutje nga ky institucion është thënë se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer krime brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara (‘DhK’), dhe se mbeten të larta rreziqet që i akuzuari nëse lirohet do të arratiset.

Më 12 janar, edhe kërkesa që të ketë kufizime dhe monitorim të komunikimeve të Pjetër Shalës, është refuzuar nga trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt-Folgia.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore