Lajme

Të jemi 6 shtete, jo 5 – Thirrja e Abazoviç për samitin e radhës të Ballkanit të Hapur


Dritan Abazoviç

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një konferencë për media, ka potencuar faktin se ndihet shumë i lumtur për pjesëmarrjen e samitit të Ballkanit të Hapur në Ohër, ku ka thënë se të gjitha temat të cilët janë adresuar këtu, kanë të bëjnë me përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve të rajonit, qoftë me lëvizjen e lirë si dhe me diskutimet për turizmin e energjinë.

Sipas tij iniciativa në fjalë nuk ka asgjë të keqe dhe për këtë arsye struktura në fjalë duhet të forcohet edhe me pjesëmarrjen e shtetit të Kosovës.

“Unë bëjë thirrje që herën tjetër të mos jemi pesë shtete, por gjashtë shtete që Ballkani i Hapur të ketë gjithnjë e më tepër pjesëmarrës e gjithnjë më tepër liderë nga fusha të ndryshme nga zonat e ndryshme pasi qytetarët nga të gjithë ne kërkojnë që të gjejmë zgjidhje të përbashkëta”, ka thënë Abazoviç në një konferencë për media në margjinat e iniciativës Ballkani i Hapur.

Abazoviç, më tej ka bërë të ditur se vizita e tij e parë si kryeministër i Malit të Zi do të jetë në Serbi.

“Po vjen një kohë e mirë e bashkëpunimit në mes të dy vendeve. Më vjen shumë keq që nuk ka ndodhur deri më tani, por këtu është një mundësi e mirë për të ndryshuar praktikën tonë dhe për të qenë më të mençur. Është një nder i madh për mua të vij në Beograd, do ta bëj me shumë kënaqësi edhe me qytete të tjera të rajonit”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse Mali i Zi do t’i bashkohej Ballkanit të Hapur, Abazoviç ka potencuar se kjo është pak e rëndësishme, pasi sipas tij të gjithë pjesëmarrësit në këtë samit kanë kuptuar shumë mirë njëri-tjetrin, sidomos për çështjet të cilat kanë diskutuar në Ohër.

Për Abazoviç, Ballkani i Hapur është një fytyrë e re e Ballkanit Perëndimor.

“Të gjitha temat e trajtuara kanë të bëjnë ekskluzivisht me standardin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është padyshim një qasje e re dhe një kthesë totale në trajtimin e temave. Jemi të interesuar për bashkëpunim, dora jonë e miqësisë është zgjatur, kontributi ynë do të jepet në përputhje me mundësitë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore