Lajme

Të gjitha zonat e PKK-së ‘nën shënjestër’, thotë kryediplomati turk


Ministri i Jashtëm Hakan Fidan tha të mërkurën se forcat turke të sigurisë ishin të autorizuara të synonin gjithçka që zotërohej ose kontrollohej nga grupi terrorist PKK në Siri dhe Irak.

Lajmi u bë nga e përditshmja “Daily Sabah”, duke cituar fjalën e zyrtarit turk gjatë një konference për shtyp.

“Gjithçka që i përket PKK/YPG-së, nga infrastruktura te objektet energjetike, në Siri dhe Irak janë tashmë objektiva legjitime të forcave tona të sigurisë”, theksoi fillimisht Fidan.

Deklaratat e kryediplomatit turk erdhën pas sulmit terrorist të së dielës nga PKK-ja që synoi selinë e policisë turke në Ankara.

Fidan tha se hetimi tregoi se dy terroristë të përfshirë në sulm kanë ardhur nga Siria.

“Është një fakt i njohur se sa i qartë është qëndrimi i Turqisë në luftën kundër terrorizmit. Pas këtij incidenti të fundit, si rezultat i punës së kryer nga forcat tona të inteligjencës dhe sigurisë, u bë e qartë se dy terroristët erdhën nga Siria dhe ishin trajnuar këtu”, shtoi zyrtari turk në një konferencë shtypi me homologun e tij turk qipriot Tahsin Ertuğruloğlu në Ankara.

PKK-ja dhe krahu i saj sirian YPG janë të njohur për përdorimin e Irakut verior dhe Sirisë veriore, pranë kufirit turk, si strehë për të komplotuar sulme terroriste ndaj Turqisë dhe forcave turke.

Fidan gjithashtu paralajmëroi palët e treta, pa i përmendur ato, të qëndrojnë larg objekteve të PKK/YPG-së.

“Përgjigja e forcave tona të armatosura ndaj këtij sulmi terrorist do të jetë jashtëzakonisht e qartë. Ata do të pendohen edhe një herë për kryerjen e veprimeve të tilla”, theksoi kryediplomati.

Agjencia turke e Inteligjencës pas sulmit terrorist: Një nga komandantët e PKK-së i vrarë, 67 arrestime dhe rreth 14 mijë agjentë në aksion

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore