Lajme

Agjencia turke e Inteligjencës pas sulmit terrorist: Një nga komandantët e PKK-së i vrarë, 67 arrestime dhe rreth 14 mijë agjentë në aksion


Agjencia e inteligjencës kombëtare turke (MIT) njoftoi se kishte vrarë Muzdelif Taskin, një nga komandantët e PKK-së, gjatë një operacioni në veri të Sirisë.

Kështu shkruan agjencia turke e lajmeve “Anadolu”.

Taskin, me emrin e koduar “Aslan Samura”, kishte mbërritur në Siri nga Iraku dhe konsiderohet nga Ankaraja si organizatori i sulmit në Daglica të vitit 2007, ku 12 ushtarë turq humbën jetën, ndërsa 12 të tjerë u plagosën.

Mbi 60 terroristë të dyshuar janë kapur

Ndërkohë, forcat e sigurisë kanë kapur 67 terroristë të dyshuar gjatë një operacioni anti-terrorist kundër PKK-së në të gjithë Turqinë, në të cilin morën pjesë rreth 13 mijë e 400 forca sigurie, pas sulmit vetëvrasës të së dielës në Ankara.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i vendit, Ali Yerlikaya.

12 terroristë të dyshuar u kapën në provincat e Mersinit, Van, Sanliurfa, Mardin dhe Aydin.

55 të tjerë u pikasën në 16 provinca të tjera.

Në orën 8.30 me orën lokale janë kryer 466 operacione në zonat rurale, nënvizoi ministri.

Gazetari hetohet për propagandë terroriste

Tre ditë më parë PKK mori përgjegjësinë për sulmin terrorist vetëvrasës në një hyrje të Ministrisë së Brendshme në Ankara, në të cilin kamikaz humbi jetën dhe një tjetër sulmues u vra.

“Një akt sakrifice”, deklaroi PKK.

Lidhur me atë sulm, sot prokuroria e Stambollit vendosi nën hetim gazetarin Aysenur Arslan për “propagandë terroriste” për shkak të një komenti të bërë gjatë një programi televiziv.

Gjatë transmetimit gazetari kishte ngritur disa dyshime për dinamikën e sulmit. Dy policë u plagosën gjatë sulmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore