Lajme

Të festosh Vitin e Ri Hënor si një perandor


Është Viti i Ri Hënor.

Të veshur me rrobat e tyre më të mira festive, një familje e shekullit të XVIII-të duket e ulur për të festuar në një banket luksoz në një dhomë të stolisur.

Kjo skenë do të tingëllojë e njohur për shumë prej familjeve, në mbarë Kinën dhe globin, duke shijuar festat e tyre, traditat dhe ushqimet simbolike gjatë periudhës së festave.

Pjata e zbukuruar është “një simfoni e shqisave”, sipas Daisy Wang, zëvendësdrejtore e Muzeut të Pallatit të Hong Kongu-t, ku këto thesare të epokës së dinastisë Qing shfaqen në një galeri të katit të dytë të fokusuar në jetën e përditshme në pallatin perandorak të Pekinit.

Ndërtesa prej 450 milionë dollarësh u hap verën e kaluar dhe ka një koleksion me më shumë se 900 thesare të huazuara nga Qyteti i Ndaluar i Pekinit, nga qeramika e rrallë deri te pikturat delikate.

Muzeu po shënon Vitin e Ri Hënor të tij të parë duke ftuar vizitorët të shohin se si një nga perandorët më jetëgjatë të Kinës e festoi, përmes objekteve të ekspozuara.

Perandori i katërt i dinastisë Qing, Perandori Qianlong, ishte “një nga sundimtarët më të fuqishëm në Tokë në shekullin e XVIII-të”, ka dalluar Wang.

“Ai sundoi mbi një territor të gjerë, me një popullsi ndoshta mbi 300 milionë”, ka thënë ai.

Po ashtu mbretërimi i tij u shënua nga lulëzimi i arteve dhe krijimtarisë në vend.

I njohur si erudit, ai botoi mbi 40 mijë poezi gjatë jetës së tij dhe grumbulloi një koleksion të madh veprash arti antike dhe të porositura perandorake gjatë sundimit të tij gjashtë dekadash.

Kudo në ekspozitën e Muzeut të Pallatit, vërehet prirja e perandorit për luksin, nga panelet e varura me motive lulesh deri te një palë dekorime të arta.

Këto të fundit janë ndër më shumë se 60 dekorimet të porositura nga Perandori Qianlong për të zbukuruar Qytetin e Ndaluar vetëm gjatë Festivalit të Pranverës në vitin 1746.

Ashtu si me shumë vepra arti, ato përmbajnë “kuptime të fshehura”.

Megjithatë, perandori nuk porosiste vetëm vepra arti.

Shija e tij ekstravagante shtrihej edhe në veshjet e tij. “Ai nuk porositi kurrë një veshje të vetme. Duhej të ishin gjithmonë dy, katër, gjashtë”, ka vijuar Wang.

I njohur për ndryshimin e veshjes së tij deri në shtatë herë në ditë, një veshje e spikatur e paraqitur në ekspozitë është një mantel i stolisur me dragonj të qepur me dorë që fluturojnë mes reve me fije të mbështjella me ar.

Me një shije për bankete të mëdha, zakonet e ngrënies së perandorit do të jenë të njohura për shumë njerëz.

Festat e Vitit të Ri Hënor ishin veçanërisht të veçanta për Perandorin, sepse do të ishte një nga rastet e pakta që ai lejohej të hante në të njëjtën dhomë me familjen dhe miqtë.

“Për shkak të shqetësimeve të sigurisë, ai zakonisht hante vetëm”, ka treguar Wang.

Gjithashtu artikujt perandorakë që ai përdori, përtej të qenit të praruar dhe të zbukuruar me xhevahir, zbulojnë se sa shumë tradita kanë mbetur të njëjta.

“Një nga gjërat që më befasoi është se sa e ngjashme është mënyra se si ai e festoi Vitin e Ri Hënor me praktikën tonë sot. Shpresoj që vizitorët të vijnë dhe t’i lidhin këto objekte të lashta me jetën e tyre”, ka theksuar ai.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore