Lajme

“Të festojmë të bashkuar në Kosovë e Diasporë”, mesazhi i myftiut të Kosovës për Bajram


Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava

“Të përgjigjemi o Zoti im. Falënderimi vetëm ty të takon. Ty të takon sundimi”.

Me këto fjalë u ka uruar besimtarëve myslimanë Festën e Kurban Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në fjalimin e tij në manifestimin qendror kushtuar kësaj feste është mbajtur në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

Tërnava tha se kjo festë bën bashkë të gjithë, duke apeluar të festohet bashkë në Kosovë e diasporë.

Ai më tej ka shtuar se këtë festë e karakterizojnë haxhi e prerja e kurbanit, rituale këto që sipas tij, e ofrojnë besimtarin me Zotin.

“Sot është ditë feste. Feston bota mbarë. Festojmë bashkë brenda vendit e në diasporë. Këtë festë e karakterizojnë ritualet haxhi dhe prerja e kurbanit. Edhe sot kemi pasur përfaqësues tanë që iu janë bashkuar haxhillëkut. Të përgjigjemi o Zoti im. Falënderimi vetëm ty të takon. Ty të takon sundimi. Haxhi është një nga shtyllat e fesë islame”.

“Njëri nga adhurimet që na afron më shumë me xhenetin dhe falje e mëkateve. Haxhi ka dobi dhe vlera të mëdha për besimtarë. Kur njeriu kthehet me zemër e afërsi me Zotin ndryshojnë shumë gjëra. Afrimi te Zoti arrihet me namaz dhe agjërim e adhurime të tjera”.

Me rastin e festës së Kurbam Bajramit, Kryesia e BIK, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë në Prishtinë.

Liderët urojnë Bajramin

“Festat si kjo mbajnë gjallë jo vetëm shpresën, por edhe shpirtin solidar për t’i mbështetur njerëzit në nevojë në këtë kohë sfiduese. Paqja, shëndeti, mirësia e begatia qoftë me ju dhe familjet tuaja!”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në urimin e saj për besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se festa si kjo na e mësojnë solidaritetin me tjetrin.

“Me synim tjetrin e jo veten, në këtë ditë rikujtojmë̈ mësimet hyjnore për t’u treguar bujarë e zemërgjerë, sidomos me skamnorët, jetimët, të dobëtit dhe të vetmuarit”, shkruan Kurti në urimin e tij.

Kurse kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shkruar se “atmosfera që krijon Bajrami në këtë kohë të flladit veror le të jetë një motivim i ndarjes së dashurisë. Urime për Bajramin e Kurbanit!”.

“Me fat Bajrami” ka uruar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

“Ju urojë një festë të lumtur dhe të qetë të gjithëve që festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore