Muzikë

Të famshëm… dikur!


Rrugëtimi drejt suksesit në industrinë e muzikës, në shumicën e rasteve nuk është i lehtë arritshëm.

Jo gjithmonë, këngëtaret arrijnë t’i mundin sfidat për tu akomoduar në piedestalin e famës. Disa prej tyre dështojnë, ka tjerë që përpiqen, por ka edhe nga ata që edhe kur arrijnë në destinacionin e suksesit në muzikë, për arsye të ndryshme vendosin të largohen duke lënë pas vetëm gjurmët e tyre.

Albanian Post ju prezanton me disa nga emrat që dikur dominuan tregun e muzikës, por që në një mënyrë apo tjetër, ata i dhanë fund rrugëtimit të tyre muzikor, duke u larguar përfundimisht nga syri i publikut.

Mirsa Kerçeli

Falë talentit dhe zërit të veçantë, nuk ju desh shumë kohë që të triumfoj me suksese. Më një gërshetim mes zërit të ëmbël dhe energjisë pozitive që transmetonte përmes këngëve të saj, Mirsa Kerqeli u duartrokit nga publiku shqiptar.

Repertuari i Kërçelit numëron disa hite, përfshirë këtu; “Djaloshi im”, “Indiferent” e “Në banesën time”, teksa e suksesshme rezultoi edhe në bashkëpunime si tek kënga “Buzën mbi buzë” me këngëtarin, Genc Prelvukaj dhe projektin tjetër, “Punë e madhe” me rep artistin Lyrical Son.

Por, hitet mbetën nën hijen e suksesit, sepse këngëtarja Mirsa Kerçeli, la gjithçka pas, duke vazhduar jetën e saj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Unikkatil

Viktor Paloka i njohur me emrin skenik si Rebel a.k.a. Unikkatil, është njëri nga rep artistët më të famshëm, karriera e së cilit nisi në vitet e 90-ta, duke prodhuar hite dhe duke shkruar historinë e kësaj rryme të muzikës për shqiptarët.

Debutimin e tij e bëri më publikimin e këngëve “Demokraci” dhe “Ta zhdukim policinë”, të cilat shërbyen si një pasaportë duke i hapur dyert e suksesit për Unikkatil.

Gjatë karrierës së tij aktive, Unikkatil, solli shumë hite në industrinë e muzikës që edhe sot dëgjohen me ëndje nga fansat e tij të dikurshëm.

“U qova pi vorri”, “Arsyetimi jem”, “Vetbesim” e “Shota”, janë disa nga këngët më të suksesshme të tij.

Por, zjarrin e suksesit i cili po bënte bujë, e fiku si me ujë, duke mos sjellë projekte të reja për vite me radhë.

Teuta Kurti

Këngëtarja nga qyteti i Mitrovicës, Teuta Kurti, e shquar për vokalin e veçantë, dikur ishte shumë aktive duke lansuar projekte që morën vulat e suksesit.

Repertuari i Kurtit, numëron plot këngë që fituan zemrat e publikut, të tilla si; “Perëndo pa lindur”, “Mëkat” dhe “Si mbretëreshë”.

Ani pse tani, është pjesë e Filarmonisë së Kosovës, dhe kohë pas kohe paraqitet në intervista televizive, Teuta Kurti, nuk ka publikuar projekte të reja vite me radhë, duke lënë vend për nostalgji tek fansat e saj, që dikur ishin të shumtë në numër.

Mes tjerash, Kurti ishte e njohur për bashkëpunimet e suksesshme me këngëtaret Rona Nishliu dhe Vesa Luma, me të cilat përpos që solli projekte, interpretoi edhe kolazhe popullore të muzikës së vjetër qytetare, në programet festive për festat e vitit të ri.

Rozana Radi

Që në fillimet e saj, ajo ka krijuar steriotipin e saj, si një grua pa komplekse që nuk merret me komentet lartë e poshtë, me një karakter unik dhe mendje të hapur, Rozana Radi, dikur ndizte skenat e festivaleve me interpretimet e saj, por ka kohë që ajo është diferencuar nga muzika, duke mos sjellë projekte të reja.

Radi është e njohur për performancat e saj në skenën e festivalit “Kënga Magjike”, këngët si “Ti s’ke zemër”, “Ma thuaj ti” dhe “Kur përfundon një dashuri si kjo e jona”, janë interpretime që rezervuan duartrokitjet e publikut, dhe u shndërruan në hite edhe falë tematikave aktuale të cilat trajtoheshin brenda tyre.

Janë bërë më tepër se dy vite, që kur Rozana Radi, personazh i dashur për publikun, nuk ka publikuar prurje të re muzikore.

Por, se a ka hequr dorë ajo përgjithmonë nga muzika? Këtë do ta tregoj më së miri, koha!

Dafina Rexhepi

Dikur e dashur dhe e kërkuar nga publiku, Dafina Rexhepi, ka hyrë duke premtuar shumë në karrierë falë bashkëpunimeve të saj me emrat më eminent të rep artistëve kosovar, si Mc Kresha, Kaos e Genc Prelvukaj.

Një lidhje dashurie mjaftoi që këngëtarja e lindur dhe e rritur në Gjermani, të distancohet nga skena ku po krijonte sukses.

Dafina, provoi të rikthehej përsëri në industrinë e muzikës, por kjo nuk rezultoi suksesshëm çka e bëri atë që përfundimisht të heq dorë nga muzika.

Gjithsesi, emri i saj do të mbahet mend për hite si këngët; “Në prezencën time”, “Delicious” dhe “Ti mi then kufijtë”, do të mbeten përherë në memorien e fansave të saj.

Këta janë vetëm disa nga emrat të cilët braktisën popullaritetin dhe suksesin në muzikë, për t’i vazhduar planet e tjera jetësore, shumica prej tyre larg artit dhe vëmendjes së publikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore