Lajme

Të enjten protestë para Ministrisë së Jashtme


MPJD

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm ka paralajmëruar, se të enjten nga ora 12:00, do të mbajë një protestë para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, lidhur me gjendjen aktuale në këtë dikaster.

Protesta, sipas shoqatës në fjalë do të shërbej për paraqitjen e disa prej kërkesave të tyre.

Në mesin e kërkesave sipas shoqatës është kthimi i rendit Kushtetues dhe ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm, si dhe ndërprerja e përndjekjeve dhe segrecionit të diplomatëve dhe zyrtarëve me përvojë të gjatë diplomatike.

“Të ndërpritet hakmarrja ndaj sindikatës dhe kryetarit te saj menjëherë në pajtim me ligjin për organizimin sindikal. Të shfuqizohen të gjitha vendimet arbitrare që kanë shkaktuar largimin e kolegëve nga puna dhe të mos merren vendime për largimin nga puna pa vendim të gjykatës. Të ndërpritet përndjekja dhe diskriminimi i diplomatëve nëpër komisione të kurdisura. Të ketë trajtim meritorë sipas praktikave të mira ndërkombëtare të zyrtarëve diplomatik në MPJD në Ligjin për Pagat”, janë disa nga pikat për të cilën Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm do të protestojë para ndërtesës së ministrisë së jashtme.

Ndryshe një ditë më parë Albanian Post, pati siguruar një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes së cilës ky këshill kishte shpallur të kundërligjshëm konkursin për 32 zyrtarë të misionit diplomatik gjatë muajit korrik të këtij viti.

Në vendimin që e posedon AP, thuhet se rekomandohet që MPJ të ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për anulimin e këtij konkursi.

“Kolegji i Këshillit, po ashtu nga shqyrtimi i shkresave të administruara ka gjetur se procedurës së rekrutimit të 32 zyrtarëve të misionit diplomatik nuk i ka paraprirë një procedurë e brendshme e lëvizjes paralele në kuadër të shërbimit civil”, thuhet në dokument.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore