Lajme

Të enjten në Kuvend diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2024


Të enjten pritet të diskutohet dhe votohet në Kuvendin e Kosovës për projektbuxhetin e vitit 2024, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Sipas njoftimit për media të Kuvendit, për diskutim dhe votim do të jetë edhe Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2024, sipas rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është rekomanduar votimi i Ligjit për buxhetin.

Në fund të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar projektbuxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar se për sektorin publik, koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

“Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro”, tha Kurti.

Me këtë buxhet, ai potencoi se kujdes dhe rëndësi të veçantë do t’i jepet mbrojtës dhe sigurisë.

“Prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë”, kishte theksuar Kurti.

“Buxheti për Ministrin e Brendshëm për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro dhe për ministrin e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro”.

Ndërsa 860 milionë euro, sipas Kurtit, do të jetë buxheti për mbështetjen e investimeve të reja kapitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore