Lajme

Të dyshuarit për vrasje në Skenderaj në arrati


Dy personat e dyshuar për vrasjen e një personi në Skenderaj dhe plagosjen e dy të tjerëve janë ende në arrati.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanain Post, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Sipas tij, ende nuk dihet motivi që ka çuar deri në këtë akt teksa rasti po trajtohet si “Vrasje e rëndë”.

“Prokurori i rastit ka dalë në terren, nga të dhënat e deri tanishme dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në kafiteri ku nga të shtënat një person ka mbetur i vdekur. Personat e dyshuar janë ende të paidentifikuar dhe në kërkim”, tha Preteni.

Ndërsa njërit nga të plagosurit në Skenderaj ku mbeti i vrarë një person është dashur t’i amputohet këmba për shkak të lëndimeve të rënda që kishte marr nga të shtënat me armë zjarri.

Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas policisë, në hetimet fillestare nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa tre persona të tjerë të lënduar po ashtu nga arma e zjarrit  janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në lokal kanë shtënë me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, thuhet në njoftim.

Tri ditë më parë një person u vra në Klinë, ndërsa më 5 gusht pas përplasjeve fizike dhe të shtënave me armë zjarri një person është vrarë dhe 17 të tjerë janë lënduar në lokalin ‘Bon Vivant’ në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore