Lajme

Të akuzuarit për sulmin në Kuvendin e Kosovës mbrohen në heshtje


Seanca ndaj të akuzuarve për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Të akuzuarit për sulmin në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, janë mbrojtur në heshtje.

Kjo vepër është kualifikuar si “vepër terorriste” ndërsa ky proces gjyqësor është kthyer në rigjykim.

Në seancën e së martës gjykatësi Vesel Ismaili, e njoftoi palën lidhur me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Arifi, se për seancën e së martës nuk ka mundur ta angazhoj ekspertin e armatimeve të rënda edhe për kundër përpjekjeve të vazhdueshme të tij.

Ndërkaq, të gjitha palët deklaruan para trupit gjykues se nuk ishin të përgatitur të paraqesin fjalën përfundimtare në seancën e së martës.

Sulmi në Kuvendin e Kosovës.

Për këtë arsyeje shqyrtimi gjyqësor është ndërprerë dhe ai i radhës pritet të mbahet më 21 dhjetor raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Fillimisht ky rast ishte gjykuar nga gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetor të 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti.

Përfundimit kjo lëndë pritet të kalojë tek gjykatësi i Departamentit Special, Vesel Ismaili.

Në njërën nga seancat e kaluara ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përballë Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore