Lajme

Tavani jo kushtetues i çmimeve për produktet esenciale


Ilustrim

Projektligji për çmimet tavan për produktet esenciale, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, nuk është në pajtim me parimet e ekonomisë së tregut të lirë si dhe është në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese të Kosovës.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës e ka prezantuar këtë projektligj, ka thënë se kjo masë e përkohshme ka për qëllim eliminimin e rritjes së çmimeve në rast të mungesës së produkteve, kryesisht atyre produkteve themelore në treg.

Për ish-ministrin e Financave, Haki Shatri, projektligji për çmimet tavan për produktet esenciale në shikim të parë mund të cilësohet se i bënë favor qytetarëve të vendit, mirëpo një gjë e tillë, sipas Shatrit, e vështirëson shumë punën e operatorëve ekonomikë që tregtojnë produktet themelore.

“Nëse ti ia kufizon dikujt çmimin dhe çmimi i prodhimit dhe i furnizimit shtrenjtohet nga faktorët e jashtëm, atëherë operatori ekonomik nuk mund të furnizojë më qytetarët dhe vije puna te mungesa e produkteve në treg, pasi askush nuk punon me humbje në substancë. Pra, projektligji mund të na sjell probleme të mëdha në furnizime me artikujt e domosdoshëm”, ka thënë Shatri për Albanian Post.

Projektligji në fjalë përveç se e vështirëson punën e operatorëve ekonomikë, sipas Shatrit është edhe në kundërshtim me ligjin.

“Nga kushtetuta jemi ekonomi e tregut të lirë që nënkupton se bizneset operojnë lirshëm dhe çmimet i caktojnë vetë në bazë të kërkesave”, ka shtuar ai.

Se me vënien e çmimit tavan cenohet fryma e ekonomisë së tregut të lirë e thotë edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu.

Sipas tij me projektligjin për çmimet maksimal për produktet esenciale goditet shtresa e mesme e shoqërisë, pasi shumë biznese përmes këtij projektligji mund të falimentojnë.

“Qeveria duhet ta pranojë realitetin që Kosova është në krizë ekonomike, është koha kur duhet të pranohet realiteti dhe në këtë drejtim të punohet. Vendosja e çmimit tavan për produktet bazë është shkelje kushtetuese dhe është kundër frymës së ekonomisë së tregut të lirë. Prandaj Kosova nuk duhet të shndërrohet në shtet eksperimental me ligje të tilla”, ka thënë Gërxhaliu për Albanian Post.

Në vend se Qeveria e Kosovës të koncentrohet në vënien e çmimit tavan për produktet bazë të ushqimit, ajo, sipas Shatrit, mund të punojë në drejtime të tjera duke zbutur kështu efektet negative të krizës ekonomike.

“Qeveria ka shumë mundësi të tjera si me politika fiskale si me politika makro ekonomike, e jo të ndërhyjë në përcaktimin e çmimeve se kjo pastaj na shpie në një ekonomi të centralizuar”, ka pohuar Shatri.

Qeveria e Kosovës e ka shumë më të lehtë të operojë me masa të tjera që kontribuojnë në zbutjen e krizës ekonomike në vend, deklaron edhe Gërxhaliu.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë, e rekomanduar e arsyetuar, pra Qeveria mund ta ulë akcizën e produkteve strategjike, si dhe mund ta ulë TVSH-në për produktet esenciale, për një periudhë kohore tre mujore apo gjashtë dhe kjo do të jetë një zgjidhje më gjentëllmene”, ka shtuar ai.

Haki Shatri dhe Safet Gërxhaliu

Kuvendi i Kosovë, në mungesë të kuorumit, nuk kishte arritur ta miratojë Projektligjin për me të cilin vendosen çmimet tavan për produktet themelore.

Versioni i paraqitur i projektligjit nga Qeveria ka qenë i papranueshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Gjatë shqyrtimit deputetët opozitarë kanë shprehur kritika ndaj projektligjit, teksa e kanë kualifikuar atë si antikushtetues dhe në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë të Kosovës.

Përkitazi me këtë, ata i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta tërheqë projektligjin.

Megjithatë gjatë ditës së sotme në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, do të diskutohet përsëri në lexim të parë Projektligji për çmimet tavan.

Produktet themelore sipas këtij projektligji janë: Drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie, produktet tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara me vendim të Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore