Lajme

Tanja Fajon flet prapë për dokumentin që sugjeron shkëmbim kufijsh


Tanja Fajon, eurodeputete nga Sllovenia

Eurodeputetja Tanja Fajon, është shprehur përsëri kundër dokumentit jo zyrtar për ri-organizim kufijsh dhe e ka cilësuar si një ide të gabuar që tenton vendosje të linjave kufitare në baza nacionaliste.

Siç raporton gazeta serbe Danas, Fajon duke folur në një emision televiziv serb, është shprehur që duhet të kujtohet se ishte kjo vendosje e kufijve që solli paqen në Ballkanin Perëndimor, prandaj fokusi nuk duhet të jetë në ndryshimin e tyre, por në avancimin përpara drejt Bashkimit Evropian.

Meqë letra u tha se adresën e ka te kryeministri slloven, Janez Jansha, Fajon u deklaruar e pakënaqur, duke shtuar se “Sllovenia duhet të punojë për të lehtësuar rrugën e vendeve drejt BE-së, jo për ta bërë atë edhe më e vështirë”.

Deputetja evropiane, që është vetë nga Sllovenia, tha se “i vinte keq që perceptimi i Sllovenisë po përkeqësohet për shkak të një personi, dhe se për këtë do të ishte e mençur që Kryeministri Slloven të sqaronte pozicionin e tij mbi zgjerimin e BE, dhe veçanërisht pozicionin e tij për Bosnjë dhe Hercegovinën”.

“Ne ende nuk e dimë nga dhe si erdhi dokumenti, por unë nuk do të çuditesha nëse disa nga idetë nacionaliste vijnë nga rrethi i kryeministrit slloven”, deklaroi ajo.

Fajon ka pohuar gjithashtu që Bashkimi Evropian “është dashur të mësojë” nga e kaluara dhe se “vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të tregojnë dëshirë për një perspektivë të qartë evropiane dhe është detyra jonë t’i ndihmojmë ata në këtë”.

Fajon është raportuese për Serbinë në Parlamentin Evropian dhe gjithashtu ndërmjetësues në dialogun e brendshëm mes partive në Serbi.

Dokumenti jozyrtar i publikuar ditë më parë, për të cilin u tha se rrjedh nga kryeministri slloven, jep disa opsione se si mund të zgjidhen problemet në Ballkan.

Sipas dokumentit, Kosova bashkohet me Shqipërinë, Serbia merr pjesën serbe të Bosnjës, problemi i kroatëve të Bosnjës gjithashtu zgjidhet me dy alternativa, kurse pjesa veriore e Kosovës dhe Lugina e Preshevës në Serbi rregullohen me status të veçantë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore