Lajme

Tallje me deklarimin e Kurtit për shaminë – “ja ndreqe mirë, ja le krejt jarani jem”


Albin Kurti ne nje xhami, gjate vizites se tij ne Turqi, ne vitin 2019

Një fushatë në rrjetet sociale, iniciuar nga juristi Durim Berisha, ka filluar tash e sa ditë për heqjen apo jo të një udhëzimi administrativ që ua ndalon vajzave nën moshën 18 vjeçare bartjen e mbulesës në shkolla, por kryeministri Albin Kurti për një kohë ka heshtur.

Këtë të premte është deklaruar, por deklarimi i tij është parë si aspak serioz nga klerikë fetarë, siç është doktori i shkencave fetare, Shefqet Krasniqi.

“Hajgare” është quajtur nga Krasniqi deklarata e kryeministrit të Kosovës.

Kurti deklaroi se shamia nuk duhet të ndalohet për vajzat, por kushti është që ato të jenë mbi 16 vjet – “ky është pragu”, shtoi kryeministri duke e lidhur këtë moshë edhe me disa të drejta tjera që i kanë 16 vjeçarët – siç është martesa me pajtimin e prindërve.

“Kjo është diskriminim në vete, shkelje e të drejtave në vete”, thotë Krasniqi.

“Unë nuk përzihem në politikë, por ja çojmë një selam kryeministrit. Ja ndreqe punën mirë, ja le krejt. Jarani jem le krejt. Qysh e kanë lanë më herët të tjerët, le krejt”, ka deklaruar ai në një lidhje telefonike për një televizion në Kosovë RTI.

Shefqet Krasniqi

Gjithsesi, ka siguruar se “ne nuk ndalemi”.

“Me ndërlidh çështjen e fëmijës me votim e pa votim kjo është hajgare. Zoti e ka vendosur kur mbulohet vajza. Ti si shtet përmes aparaturave që i ke në dorë vërtetoje nëse vajzës i është imponuar shamia apo e ka vendosur me vetë dëshirë. Kështu është gjithkund edhe në Evropë”.

Përveç Krasniqit që çështjen e konsideron fetar, edhe juristi Berisha që nismën pohon se e ka ndërmarrë krejtësisht me argumente juridike, ka mospajtim me të shprehurit e kryeministrit rreth kësaj çështje.

Për Berishën, që për një kohë ishte këshilltar i Kurtit, situata s’ka pse të komplikohet shumë, thjesht duhet të shikohet Kushtetua e Kosovës dhe aty gjendet ndeshja e këtij udhëzimi administrativ me Kushtetutën.

“Pavarësisht diskutimeve me karakter filozofik, religjioz e të tjera, esenca e diskutimit është me karakter juridik”, tha ai në një deklarim në Televizionin kosovar “A”.

Durim Berisha, foto e shkeputur nga intervista ne ATV.

Sa për caktimin e moshës nga kryeministri, pohon se s’ka ndonjë vend tjetër në botë që cakton moshë për shaminë – shtetet ose janë për ose e ndalojnë.

“Në asnjë nga këto shtete (shtetet evropiane që e lejojnë bartjen e shamisë në shkolla) nuk ka kufizim të moshës, por ka vetëm kufizim të bartjes apo jo”.

“Nuk ekziston një uniformitet: për shembull Gjermania tejkalon edhe standardet e kërkuara nga Këshilli i Evropës, por në rastin konkret (në Kosovë) duhet ta ritheksojmë se nuk bëhet fjalë që të lejohet shamia, apo mbulesa, por bëhet fjalë që të anulohet një ndalesë e kundërligjshme. Kjo është diferenca që duhet ta theksojmë”.

“Ajo që tha kryeministri, ai e përmendi shumë mirë, se edhe propozimi i tij është menduar të vije përmes një nisme ligjore. Sepse ndryshe nuk bëhet”, sqaroi Berisha, duke shtuar se kufizimi i të drejtave, siç mund t’u ndodhë vajzave me mbulesë aktualisht, mund të bëhet me ligj, e jo me akte të tjera nën-ligjore, si udhëzimi administrativ aktual që po kërkohet të largohet.

“Aktualisht kufizime të tilla kemi vetëm në Francë. Jo se është e definuar si shtet laik, por për shkak se ka një ligj të veçantë ku është kufizuar ekspozimi i elementeve fetare në jetën publike”.

Berisha ka njoftuar edhe se kanë filluar një peticion online për këtë punë dhe për diçka më shumë se 24 orë janë mbledhur mbi 18 mijë nënshkrime.

“Ministria është dashur vetë ta anulojë një akt të tillë. Këto që po i them unë janë theksuar edhe ekspertët e qeverisë”.

E nëse nuk ndryshohet, atëherë Berisha pohoi se do të ndërmarrin veprime ligjore dhe ta ndryshojnë përmes gjykatës.

Shamia që mbulon mundësitë për shkollim

Në Kosovë prej disa ditësh ka filluar debati mbi shaminë dhe lejimin ose jo të mbajtjes nga vajzat në shkollat fillore apo të mesme.

Në debat janë përfshirë, profesorë universitarë, filozofë, teolog, juristë e shumë gazetarë.

Njëra anë argumenton në ekzistimin e një islamofobie në Kosovë dhe mungesë e të drejtave të vajzave myslimane për shkollim, derisa ana tjetër e quan nismën si prapambeturi dhe agjendë e islamit politik në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore