Lajme

Talebanët ndalojnë gratë të vizitojnë parqet e Kabulit


Në Kabul, talebanët i kanë ndaluar gratë të vizitojnë parqet, duke i përjashtuar ato edhe më tej nga jeta publike në Afganistan.

Atje, të drejtat dhe liritë e grave janë kufizuar tepër që kur islamistët militantë morën pushtetin në gusht të vitit 2021.

Sipas rregullave të talebanëve për ndarjen e njerëzve sipas gjinisë, gratë janë lejuar të vizitojnë parqet në tre ditë çdo javë – të dielën, të hënën, të martën.

Kurse në katër ditët e tjera.

Tani, gratë nuk do të lejohen edhe nëse shoqërohen nga të afërm meshkuj.

“Ne e kemi bërë këtë sepse në 15 muajt e fundit, pavarësisht përpjekjeve, njerëzit kanë shkuar në park dhe nuk respektojnë ligjet e Sheriatit”, ka thënë zëdhënësi Mohammed Akif.

“Kufizimi është për të gjitha gratë, qofshin ato me apo pa shoqërues mashkull”, ka shtuar ai.

Ndalimi për gratë shtrihet në parqet argëtuese ku familjet i vizitojnë së bashku me fëmijët e tyre.

Për momentin duket se është në fuqi vetëm në kryeqytet, por në të kaluarën rregulla të tilla janë zbatuar në të gjithë vendin.

“Kur vjen një nënë me fëmijët, duhet të lejohen të hyjnë në park sepse këta fëmijë duhet të luajnë dhe të argëtohen”, ka thënë Masooma, e cila ka dhënë vetëm emrin për arsye sigurie.

Nën regjimin e talebanëve, gratë në Afganistan u janë nënshtruar një sërë kufizimesh të lirive të tyre.

Një numër grash janë rrahur vetëm sepse kanë kërkuar të drejtat e tyre.

Atyre u ndalohet të shkojnë në udhëtime në distanca më të gjata pa një shoqërues mashkull.

Kurse vajzat adoleshente ende nuk janë kthyer në shkollë në pjesën më të madhe të vendit, pavarësisht premtimeve se do t’i lejojnë ta bëjnë këtë.

Teksa disa gra ende punojnë në sektorë të tillë si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, shumicës iu është thënë të mos shkojnë në punë.

Në maj u miratua një dekret që urdhëronte gratë të mbanin mbulesën islame të fytyrës në publik edhe pse disa në zonat urbane nuk e kanë respektuar atë.

Ndërkohë, talebanët janë zotuar se nuk do të ketë shtypje brutale të grave siç ishte kur ata ishin për herë të parë në pushtet në vitet 1990.

Po ashtu janë zotuar se do t’i respektojnë të drejtat e grave në përputhje me ligjin e Sheriatit dhe nuk janë kundër që gratë të arsimohen apo të punojnë.

Nga ana tjetër, diplomatët perëndimorë u kanë treguar talebanëve se rifillimi i financimit të zhvillimit për një vend në krizë të thellë ekonomike varet nga përmirësimi i trajtimit të grave.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore