Shqipëria

Takimi fizik Meta-Balla shkakton debat virtual mes Bardhit dhe Blushit


Takimi i presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kreut të Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla është pasuar nga një debat virtual mes numrit dy të selisë blu, Gazment Bardhi dhe zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi.

Fillimisht ishte Bardhi që e ravijëzonte këtë komunikim mes palëve si “konsultim mes trekëndëshit të Bermudës”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike nuk shfaq “asnjë habi” në reagimin e tij në Twitter.

“Asnjë habi nga qëndrimi i sotëm i Ilir Metës! Konsultimet mes trekëndëshit të Bermudës ndodhin çdo ditë, para dhe pas kamerave. Sot ishte teatri i rradhës para kamerave”, sjell në vëmendje Bardhi.

Ndërkaq, reagimi nga Presidenca ishte i menjëhershëm.

Kjo, përmes figurës së zëdhënësit Tedi Blushi, i cili e konsideron “një bela” përballjen me Bardhin.

Në një mesazh të koduar kundrejt kryedemokratit Lulzim Basha, Blushi nënvizon se ky i fundit “ka të drejtë të takohet fshehurazi me kryetarin e shumicës në Kuvend.

“Ndërsa ne nuk duhet ta takojmë ditën dhe me kamera. Çudi e madhe!”, përmbyllet kundër-replika e zëdhënësit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Tedi Blushi.

Meta-Balla

“Nuk ka pasur ftesë zyrtare për asnjë forcë politike”, do të deklaronte më herët presidenti Meta, referuar konsultimit me Ballën, mbi datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Sipas Metës, nuk ka pasur një ftesë për PS-në, por edhe asnjë parti tjetër.

“Kam ftuar në mënyrë informale vetëm Taulant Ballën, si përfaqësues të mazhorancës”, sqaroi presidenti.

Kjo zgjedhje, sipas tij, ka ardhur në mënyrë që mos të kishte debat dhe konflikte.

Presidenti bëri me dije se ka propozuar dy data kryesore 27 shkurtin dhe 6 marsin, por se përgjigja përfundimtare i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas kreut të shtetit, qëllimi i tij ka qenë dhënia kohë maksimale prej 45 ditëve.

“Kjo nuk ka të bëjë me forcat politike, por edhe me përgatitjen e procesit, pasi bëhet fjalë për gjashtë njësi që fillojnë në Theth dhe mbarojnë në Lushnjë”, tha Meta.

Meta, pas konsultimit me Ballën propozoi datën 6 mars për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore