Lajme

Takimi Bislimi – Petkoviç, Lajçak: Mundësi e mirë për t’u dakordësuar për hapat e ardhshëm


Miroslav Lajçak dhe Aleksandër Vuçiç

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se kanë diskutuar për rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes së dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Diplomati sllovak ka bërë të ditur se takimi e 15 majit në nivel kryenegociatorësh në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç’it do të jetë një mundësi e mirë për t’u dakordësuar për hapat e ardhshëm konkret për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrti.

“Në Beograd u takova me presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryenegociatorin Petar Petkoviç, për të diskutuar rrugën përpara në zbatimin e marrëveshjes. Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për t’u dakorduar për hapat e ardhshëm konkretë”, ka shkuar Lajçak në Twitter.

I pari i cili foli për takimin me diplomatin sllovak ishte, Vuçiç, i cili në një konferencë për media shprehu shqetësimin e tij për situatën në Veri të Kosovës.

Shqetësimi i Vuçiç, siç deklaroi ai, buron nga nevoja “pasionante” e Kurtit për shkaktuar luftë dhe konflikt.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë dhe veçanërisht në Veri. Shqetësimi buron nga nevoja pasionante e Kurtit për të shkaktuar luftë dhe konflikt. Unë jam i shqetësuar. Jam i shqetësuar sepse duan të marrin me forcë zyrat në komunat në Veri pas zgjedhjeve. Jam i shqetësuar edhe nga naiviteti i ambasadorëve të shteteve të QUINT’it”, ka thënë Vuçiç.

Vuçiç’i bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Formimi i Asociacionit është parakusht për bisedime të mëtejshme me Prishtinën. Serbia ndjek qasjen e saj konstruktive ndaj dialogut, por vazhdon të insistojë në Asociacionin si garanci për sigurinë e komunitetit serb në Kosovë”.

Me Lajçakun u takua edhe i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe njëherit kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, i cili u ankua për, siç tha ai, situatën politike dhe të sigurisë së serbëve në Kosovë, me një vështrim të veçantë për tensionet e ngritura në Veri.

“Kam shprehur shqetësimin për dhunën e përditshme institucionale dhe për çdo dhunë tjetër të ushtruar nga regjimi i Prishtinës ndaj popullatës serbe si dhe për veprimet e paarsyeshme të njëanshme të politikanëve shqiptarë që kërcënojnë paqen, veçanërisht në dritën e tentativave për të marrë pushtetin me dhunë”, shkroi Petkoviç në Facebook.

Diplomati sllovak para se të udhëtojë në Serbi për t’u takuar me krerët institucional takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën dhe udhëheqësit e Listës Serbe.

Lajçak, bëri të ditur se në takim me Kurtin u diskutua mbi atë se si e sheh Unioni procesin e hartimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë rrugën e mesme dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë”, deklaroi Lajçak pasi u pyet për dy draft-statutet që janë prezantuar nga palët për Asociacionin.

Ndërsa pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, diplomati sllovak u shpreh i shqetësuar për atë se çfarë dëgjoi duke mos dhen detaje se çka konkretisht ka dëgjuar nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi ai në Twitter pas takimit me Listën Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore