Lajme

Tahiri për takimet e Kurtit: Papërgjegjësi dhe arrogancë jashtëzakonisht e madhe


Abelard Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është pyetur nga gazetarët nëse kanë kërkuar që të mbajnë takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Tahiri ka thënë se akoma nuk kanë bërë një kërkesë të tillë.

“Nuk ka si të jetë ndryshe kur një kryeministri që me javë të tëra nuk gjendet në shtetin e Kosovës, pa dyshim që presim të reflektoj dhe presim që të raportojmë në Kuvendin e Kosovës, për të gjitha takimet që ka pasur në veçanti për Serbinë, por akoma nuk kemi bërë një kërkesë të tillë”.

Tutje, ai është shprehur se nga këto takime kanë parë vetëm papërgjegjësi të kreut të ekzekutivit.

“Ne e kemi pritur zotin Kurti për të gjitha takimet që ka pasur në Berlin dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tani e kemi parë një papërgjegjësi dhe një arrogancë jashtëzakonisht të madhe të zotërit Kurti”.

Tahiri, bëri të ditur se vazhdimi i seancës do të jetë të enjten, ndërsa seanca e re të hënën ku do të diskutohet për Trustin.

“Meqenëse kryesia nuk kishte kuroum që të përcaktojë seancat e radhës u dakorduam që vazhdimi i seancë ta kemi ditën e hënë dhe do ta përcaktojmë edhe rëndin e ditës, ku do të trajtohet çështja e trustit që t’iu jepet e drejta qytetarëve të kenë të drejta në këto mjete”.

Ai këtë pikë e konsideron si njërën ndër pikat më të rëndësishme.

“Kemi pësuar rritje çmimesh në secilin produkt. Dhe konsiderojmë që kjo pikë është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha ai.

Shefi i PDK-së, duke folur për kundërshtimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për mundësinë e tërheqjes së 30 për qind të Trustit, Tahiri ka pohuar se kundërshtime të tilla ka pasur edhe në kohën kur janë ngritur pagat.

“Ne kemi iniciuar një proces të tillë si kërkesë e rëndësishme për qytetarët. Partitë opozitare edhe nga komunitete jo shumicë do ta përkrahin një iniciativë e tillë. Shpresojmë që VV-ja të reflektojë karshi kësaj kërkesë të qytetarëve”.

“Zyrtarë të FMN-së lëvizje kanë cilësuar edhe ngritjen e pagave. Tash kemi numër të madh të qytetarëve që janë të interesuar ta lëshojnë Kosovën. Për ne është e rëndësishme mirëqenia qytetare dhe të mos krijojmë ambient që bëhet i papërballueshëm për të jetuar në këtë vend”, tha ai.

Në raport me SHBA-të, Tahiri potencoi se Qeveria Kurti në dy qeverisjet ka bërë gabime të mëdha.

“Qeveria Kurti ka bërë disa gabime trashanike në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëra nga to është çështja e gazit. Një investim i tillë do të përkthehet me siguri për vendin tonë”.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur një iniciativë të re që është marrë nga kjo parti.

“Ajo që dua të them në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është që ne e kemi bërë një nismë që lidhet me projektligjin për plotësimin e ligjit të skemave pensionale të financuar nga shteti, do të iniciojmë dyshimin që pensionet kontribudhënës t’i gëzojnë të gjithë pensionistet varësisht nga vitet që kanë punuar para datës 1 janar të vitit 1999”.

“Siç e dimë kemi raste që dikush për një ditë dikush që nuk ka arritur t’i bëjmë 15 vite nuk e gëzon pensionin e merituar”, ka thënë Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ai tutje ka shtuar se nuk do të mund të trajtohet çështja e Trustit as këtë javë.

“Këtë javë nuk do të mund të kemi një seancë të re që do të thotë nuk do të mund të e trajtojmë çështjen e Trustit”.

I pyetur për vizitën e kryeministrit në SHBA, ai e ka quajtur “vizitë turistike”.

“Ne si grup parlamentar nuk e shohim këtë si çështje prioritare pasi ne kemi parë që vizita në SHBA, ka qenë e nivelit turistik jo e nivelit shtetërore, pra agjenda nuk ka qenë e paracaktuar”.

Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka dalur kundër iniciativës për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti dhe kthimin e tarifave të rrymës, siç kanë qenë para shtrenjtimit.

FMN-ja ka shprehur kundërshtimet e forta edhe për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve pensionale.

“Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, thuhet në komunikatë.

FMN-ja, ka konsideruar se rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin lëvizje të duhura të politikave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore