Lajme

FMN-ja kundër tërheqjes së trustit dhe anulimit të tarifave të energjisë


Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka dalur kundër iniciativës për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti dhe kthimin e tarifave të rrymës, siç kanë qenë para shtrenjtimit.

FMN-ja ka shprehur kundërshtimet e forta edhe për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve pensionale.

“Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, thuhet në komunikatë

FMN-ja, ka konsideruar se rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin lëvizje të duhura të politikave.

“Anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin. Rishikimi i planifikuar i buxhetit për vitin 2022 duhet të përshkruajë se në çfarë mënyre programet mbështetëse janë duke arritur tek më të cenuarit”.

“Si dhe në çfarë mënyre është duke u ruajtur funksionimi adekuat i zinxhirit të vlerës së energjisë elektrike karshi subvencioneve aktuale të energjisë elektrike”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndryshe me pesë vota për, pesë kundër dhe një abstenim, nuk është miratuar iniciativa për tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trust-it pensional në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje u shpreh kundër, po ashtu edhe deputetja Duda Balje nga GP 6+ abstenoi.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë përkrahur plotësim-ndryshimin për projektligjin e Trust-it.

Ky projektligj shkon në Kuvend edhe pa aprovimin e Komisionit.

Avdullah Hoti është shprehur pro nismës.

“Ne e mbështesim plotësisht këtë projektligj”, tha Hoti.

“Ky projektligj do të ndikojë në buxhetin e Qeverisë 13.5 milionë euro kur thuhet në vendimin e Qeverisë kjo është anomali. Nuk ndikohet fare buxheti i Kosovës për këtë tërheqje”, tha Hoti.

Edhe Pal Lekaj nga AAK ka thënë se do të mbështesin iniciativën.

“Duhet të tejkaloni inatet dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve. Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, tha ai.

Ndërkaq Armend Muja është shprehur rreptësishtë kundër iniciativës.

“Do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu por edhe në Kuvend, përpjekjen për ta parandaluar shkatërrimin e Trustit nuk do ta ndalë”, tha Armend Muja.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, përfundoi vizitën e stafit në Kosovë në periudhën 10-13 dhe 20 maj, ku u diskutua mbi zhvillimet, perspektivën dhe politikat e fundit ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore