Lajme

Tahiri për raportin e KDI-së: AAK-ja vendoset në vendin e parë si grup parlamentar në Kuvend


Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë të Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë të Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka vlerësuar si lajm të mirë për partinë e tij raportin 36 faqesh të monitorimit për punën e Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI).

Tahiri, përmes një shkrimi ka konsideruar se ky raport e ka vendosur AAK-në si vendin e parë si grup parlamentar.

“Ky raport, grupin parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e vendos në vendin e parë si grup parlamentar në mesataren për deputet në ngritjen e pyetjeve parlamentare në Kuvend (shih tabelën e bashkëngjitur)”.

“Po ashtu, në kapitullin ku flet për mungesat e deputetëve, AAK-ja është e para nga partitë opozitare me prezencë me 16.2%, apo 3.8% më pak se grupi parlamentar i VV-së që udhëheq qeverinë. Ndërsa, në raport me liderët e partive opozitare, kryetari Ramush Haradinaj është i pari me prezencë në seanca në kuvend”, ka shkruar ai.

Sipas tij, numri më i madh i debateve parlamentare është treguar ne raportin e KDI-së.

“Raporti në faqen 15 evidenton rolin e AAK-së në ngritjen e debateve parlamentare duke treguar se “Me kërkesën e 40 deputetëve, nga radhët e partive opozitare, me datën 12 tetor, është thirrur seancë e jashtëzakonshme për trajtimin e një rezolute që synonte të rregullonte ndihmën financiare për Policinë, propozim ky i ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”.

Ndërsa, ka theksuar edhe një temë që nuk është përmendur në raport.

“Një temë që nuk është evidentuar në raport pasi që aktiviteti ka ndodhur në kuvend, por jashtë seancave parlamentare, është fakti se grupi parlamentar i AAK-së gjatë vitit 2023 ka organizuar 10 tryeza tematike me sindikata, shoqëri civile dhe grupe tjera të interesit”.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar punën njëvjeçare të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët kanë shënuar 1 mijë mungesa gjithsej apo rreth 23.5 për qind në secilën seancë.

Bazuar në rezultatet e publikuar rezulton që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka munguar më së shumti nga partitë opozitare.

Nga ministrat u përmend ai i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla që nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, pastaj Hekuran Murati e Donika Gërvalla.

Abdixhiku mungoi më së shumti në seancat e Kuvendit – Sveçla s’u përgjigj në asnjë pyetje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore