Lajme

Abdixhiku mungoi më së shumti në seancat e Kuvendit – Sveçla s’u përgjigj në asnjë pyetje


Kuvendi i Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar punën njëvjeçare të Kuvendit të Kosovës, ku deputetët kanë shënuar 1 mijë mungesa gjithsej apo rreth 23.5 për qind në secilën seancë.

Bazuar në rezultatet e publikuar rezulton që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka munguar më së shumti nga partitë opozitare.

“Numerikisht, deputetët munguan 1586 herë, apo shprehur në përqindje në secilën seancë të vitit 2023, munguan 23,5% e deputetëve. Në një listim që përjashton deputetët që vinë nga Lista Serbe, LDK prinë me 23,4% të mungesave, duke u pasuar nga PDK 18,9%, Komunitetet 18,5%, AAK 16,2%, VV 12,4%”.

“Nga 5 deputetët me mungesat më të shumta, 4 vinë nga partitë opozitare, konkretisht Lumir Abdixhiku me 44 mungesa, Behgjet Pacolli me 39, Memli Krasniqi me 35, Ardian Kastrati me 34 dhe Saranda Bogujevci me 24 mungesa. Dy deputetët e fundit kanë munguar për arsye shëndetësore”, u tha në konferencën e KDI-së.

Nga ministrat u përmend ai i Brendshëm, Xhelal Sveçla që nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, pastaj Hekuran Murati e Donika Gërvalla.

“Ekzekutivi i’u është përgjigjur 117 pyetjeve parlamentare, nga 299 të tilla, apo shprehur në përqindje vetëm 39% të tyre”, thuhet në raport.

Instituti Demokratik i Kosovës.

KDI ka thënë se puna e Kuvendit për një vit është karakterizuar me mangësi të shumta, me 76 seanca që prodhuan 26 vazhdime.

Përveç tyre, edhe 13 seanca të jashtëzakonshme dhe 2 solemne.

“Kuvendi ka miratuar vetëm 25% të agjendës legjislative të vitit 2023. 55 projektligje apo 48% e Programit Legjislativ të Qeverisë të vitit 2023 nuk është dërguar fare në Kuvend”, ka thënë KDI.

Në raportin e KDI-së theksohet se funksioni mbikëqyrës i Kuvendit është sfiduar seriozisht në disa raste si në atë kur kryeministri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

Kështu duke i kushtëzuar ata me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përmes bllokimit të formimit të komisionit hetimor për rezervat shtetërore – ku deputetet e pozitës munguan në mbledhje 8 herë radhazi.

Edhe raportet e kaluara të KDI-së, kanë kritikuar punën e Kuvendit të Kosovës, për mosmbajtje të seancave plenare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore