Lajme

Tahiri: Me skandalin e Berishajt u konfirmuan dyshimet tona, do të përdorët çdo mjet për themelimin e Komisionit hetimor


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka ngritur sërish çështjen e ngritjes së komisionit hetimor për çështjen e energjisë elektrike në një konferencë për media, gjithashtu ka folur edhe për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovë në Kroaci, Martin Berishaj që është raportuar të enjten.

Tahiri ka thënë se PDK-ja do të vazhdoj të kërkoj me ngulm krijimin e komisionit për energjinë.

“Këtë proces po e shoqëron një jotransparencë e madhe. Ne duam të shohim se cili ka qenë roli i sekserit të kryeministrit Kurti, Martin Berishës në procesin e shitblerjet së energjisë elektrike në Kosovë. Si ka ndërmjetësuar me mafien serbe, me kompanitë në Serbi dhe a ka pasur angazhim të ri në një kontratë të re për shitjen rreth 20 milionë euro thëngjill nga Kosova për këto kompani”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Ndër të tjera, e ka quajtur Berishajn sekser të kryeministrit Albin Kurti.

“Është jashtëzakonisht skandaloze, ambasadori ynë shërben si një sekser i kryeministrit tonë mes tij dhe mafies serbe energjetike që me çdo ngulm pengon themelimin e komisionit hetimor për të hetuar zhvillimet energjetike në këtë periudhë kur qeveria ka ndarë 100 milionë euro”.

Mirëpo, u shpreh se akoma më skandaloze është se si kompania e Berishajt ka bashkëpunuar me atë në Serbi.

“Kjo nxjerr në pah që ambasadori ynë që shërben në Kroaci që ishte edhe këshilltar i Kurtit, tashmë është punëtor a këshilltar i një kompanie energjetike në Serbi, që sipas raportimeve e ka paguar ambasadorin tonë deri në 600 mijë euro”.

“Del në pah që kjo kompani po ashtu gjatë periudhës së fundit dyvjeçare kur në KEK është vendosur një menaxhment i ri në Qeverinë Kurti 1 kanë bashkëpunuar me këto kompani në Serbi, dhe kjo kompani GEN dega në Serbi i ka shitë energji elektrike Kosovës dhe ka blerë energji nga Kosova. Kjo është jashtëzakonisht skandaloze”, tha Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore