Lajme

Tahiri: Ligji për zyrtarët publikë do të dërgohet në Kushtetuese, ai i pagave jo


Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar nga AAK-ja, Besnik Tahiri ka bërë të ditur se Ligjin e Pagave nuk do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese,  por do të dërgohet ligji për zyrtarët publikë.

Sipas tij, ligji i pagave nuk mund të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme.

“Ligjin e Pagave, AAK-ja nuk do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri sa nuk dihet vlera e koeficientit, pra deri sa nuk kuptohet sa është rroga e një zyrtari publik. Ky ligj, nuk duhet, edhe një herë të kthehet në pikën zero, pasi që rrezikon të prodhojë pasoja të pariparueshme, por duhet gjithsesi të kontestohen  në Gjykatë së paku dy probleme”.

“1) ulja e pagave në Sistemin e Gjyqësorit dhe 2) diskriminimi i administratës publike i komunave në raport me rritjen e pagave dhe kategorizimin e të emëruarve politikë. Të dy pikat janë çështje serioze për Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Tahiri.

Ndërkaq, pohoi se ligji për Zyrtarët Publikë do të dërgohet në Kushtetuese për disa arsyeje.

“Ligji për Zyrtarët Publik duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese tash, pasi që i njëjti vendos kontrollin partiak mbi administratën, duke rrezikuar në plotësi reformat, me shpërfillje ndaj komenteve të SIGMA-së dhe BE-së. Me këtë rast, AAK është në koordinim dhe i bashkohemi bllokut opozitar për të ngritur çështje kushtetuese, e për ta kthyer në binarë këtë proces”.

Edhe, Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësimin për disa dispozita të Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat dhe njëkohësisht ka shprehur zhgënjimin që Kuvendi i Kosovës nuk i mori parasysh sugjerimet e tyre dhe ekipit të ekspertëve nga OECD/SIGMA.

Qëllimi i komenteve dhe sugjerimeve të BE-së ishte udhëzimi dhe mbështeja për qeverinë rreth sigurimit të një një shërbimi civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem kompensimi transparent e të bazuar në merita.

Kurse, shqetësimi i BE-së në lidhje me me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë është se nuk është në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Gjithashtu, në reagim thuhet se me miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Pagat, mund të rivlerësohet ndihma e BE-së në fushën e reformave të administratës publike si parakusht drejt integrimit në BE .

Ligji për Zyrtarët Publikë, sipas shqetësimeve të BE-së, opozitës dhe shoqërisë civile, cënon punën e administratës publike dhe politizon zyrtarët publikë pasi që pranimi në detyrë i nëpunësve civil, mbështetet mbi baza partiake.

Pavarësisht thirrjeve të opozitës, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kishin miratuar projektligjin për zyrtarët publikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore