Kosova

Tahiri: Kurti për shkak të zgjedhjeve s’po e themelon Asociacionin


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se Kosova do ta ketë të vështirë të përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës pa një konsensus të vendeve anëtare.

Tahiri ndërsa ka njoftuar se delegacioni i Kuvendit të Kosovës javën e ardhshme do të jetë në Strasburg, ku do të shikohen mundësitë që të ftohet një takim i jashtëzakonshëm i Komitetit të Ministrave për anëtarësimin e Kosovës, ka theksuar se kushti për procedimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, është e padrejtë.

“Kushti i Asociacionit nuk ishte kusht i drejtë për shkak se raporti i Dora Bakoyannis thoshte qartë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk nënkupton se Asociacioni të jetë kusht, mirëpo do të jetë pas anëtarësimit”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press.

Tahiri ndër të tjera ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar Asociacionin, por për shkak të zgjedhjeve nuk po e themelon.

“Është munduar të na dërgojnë në zgjedhje tash më 7 korrik, për qëllime të tij puro politike”, ka shtuar ai.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se ka dërguar një letër në adresë së Këshillit të Evropës, ku zotohej se do të përgatisin një draft-statut të ri të Asociacionit e ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore