Shqipëria

Tahiri i thotë Shqipërisë të marrë mësime “demokratike” nga Kosova: Kur VV dogji parlamentin, ne s’i përjashtuam


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka komentuar zhvillimet e fundit në Shqipëri, konkretisht përjashtimin e deputetëve të opozitës së udhëhequr nga ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, pasi që të njëjtit kanë penguar mbarëvajtjen normale të seancave parlamentare, duke hedhur – ndër të tjera – edhe tymuese.

Duke kritikuar partinë në pushtet, pra Partinë Socialiste (PS), të kryeministrit Edi Rama, për përjashtimin e deputetëve të opozitës, Tahiri i ka dhënë si shembull veprimi Kosovën kur ka pasur këso situatash.

Ajo përmendi rastet kur Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë, kishte ndërmarrë veprime të tilla, në shumë raste edhe më ekstreme, mirëpo të njëjtit nuk ishin përjashtuar nga kuvendi.

Në këtë kontekst, Tahiri ka kërkuar nga Shqipëria që të marrë mësime për demokraci nga Kosova.

“Kur opozita e VV-së dogji parlamentin, ne që ishim në qeveri nuk e përjashtuam nga parlamenti – Shqipëria e sotme të marrë mësime demokratike nga Kosova”, shkroi ish-kryenegociatorja e Kosovës në Facebook.

Pjesa më e madhe e opozitës në Shqipëri – ajo që udhëhiqet nga ish-kryeministri Sali Berisha – që nga shtatori kanë ndërmarrë një aksion opozitar, ku çdo seancë parlamentare po përpiqen që pengojnë zhvillimin normal të punimeve të kuvendit.

Ata po kërkojnë themelimin e disa komisioneve parlamentare, mirëpo për këtë nuk po e gjejnë mbështetjen e mazhorancës.

Veprimet e opozitës kanë bërë që një numër i konsiderueshëm i deputetëve të përjashtohen nga seancat parlamentare për një kohë të caktuar.

Rasti i fundit i kaosit që shkaktoi opozita ishte të enjten, kur ende pa filluar seanca ata u përballën me Gardën.

Ky veprim i tyre erdhi si revoltë ndaj vendimit që deputetët e përjashtuar të mos lejoheshin të futeshin në sallë.

Deputetët e përjashtuar janë Gazment Bardhi, Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Ervin Salianji, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenja, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore