Lajme

Tahiri: Borell dhe Lajçak duhet të japin dorëheqje, BE-ja ta suspendoj Serbinë


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka kërkuar që përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, për Politikë të Jashtme, Josep Borrell të japin dorëheqje pas sulmit të kriminelëve të Serbisë, ndaj Kosovës.

Tahiri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka kërkuar po ashtu që Serbia të suspendohet nga BE-ja.

“Borrell dhe Lajçak, në çfarë planeti janë, duhet të japin dorëheqje pas sulmit hegjemon të Serbisë ndaj Kosovës. Tash BE-ja duhet ta suspendoj Serbinë e terroristeve nga integrimi evropian, të shkarkoj dy ndërmjetësuesit”.

Ajo ka thënë se në këtë situatë thirrjet për vazhdimin e dialogut s’kanë asnjë kuptim.

“Kosovën e ndëshkuan kur bëri gabime, tash pa ndëshkuar Serbinë thirrjet për vazhdimin e dialogut nuk kanë asnjë kuptim”.

Polici Afrim Bunjaku, i cili është vrarë të dielën në fshatin Banjskë të Zveçanit, në Veri nga bandat kriminale të Serbisë është varrosur këtë të hënën në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.

Pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Organet e rendit konfirmuan se katër sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në Veri ku kishte shkëmbime me armë zjarri dhe janë prezantuar të hënën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore