Lajme

Tadiç: Pushteti po jep gjithçka në negociatat me Kosovën – Merkel ishte në shok kur refuzova kërkesat e saj


Boris Tadiç

Ish-Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka thënë se politika e tij në raport me Kosovën ishte një politikë kompromisi, “që do të thoshte se ne e respektojmë palën tjetër, por se nuk e humbim në paqe atë që nuk e humbëm në luftë dhe se nuk e kapërcejmë vijat e kuqe të interesave tona kombëtare”.

Këto komente, Tadiç i ka bërë në një intervistë për median serbe “Nedelnjik”, ku ka theksuar se pasi që ai nuk është më në krye të shtetit serb “nuk kemi zgjidhje kompromisi”, sepse, sipas tij, “për një dekadë në negociata Serbia jep gjithçka dhe nuk merr asgjë”.

“Dorëzimi i interesave tona legjitime nuk është një kompromis. Edhe qëndrimi i [Albin] Kurtit ndaj qytetarëve dhe interesave tona nuk është kompromis. Shkëmbimi i fyerjeve dhe lojërave mediatike nuk është dialog”, deklaroi Tadiç, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Në përgjigje të deklaratës se publiku serb beson se ai e humbi pushtetin për shkak të pozicionit të tij të paraqitur para Angela Merkel-it në Beograd, ish-presidenti serb potencoi se kancelarja gjermane ishte “plotësisht e bindur se ai do të dorëzojë interesat serbe në atë takim, d.m.th të përmbushë të gjitha kërkesat e saj”.

“Megjithatë, pritjet e saj erdhën për shkak të informacioneve të gabuara që ajo mori nga disa nga bashkëpunëtorët e mi, pa dijeninë time”, pohoi Tadiç, duke shtuar se Merkel ishte në “shok të plotë” kur ai refuzoi kërkesat e saj në lidhje me Kosovën.

Ai deklaroi se “nuk e konsideron gabim që nuk është pajtuar me shfuqizimin e institucioneve tona në Kosovë për të qëndruar në pushtet dhe për të marrë mbështetjen ndërkombëtare dhe është e qartë se Vuçiç e ka parë si gabim dhe mësim”.

“Pjesa e publikut tonë që e dorëzon Kosovën e sheh atë si një rrugë për të ardhmen dhe paqen e Evropës, por nuk e kupton se ndonjëherë ajo që sot duket si baza e paqes, mund të jetë arsyeja e luftës nesër”, tha Tadiç ndër të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore