Lajme

Tadiç pas fjalimit të Vuçiç-it: Serbia është një shtet i poshtëruar


Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka reaguar pasi presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiç, në konferencë për media ka thënë se tri dënime e presin Serbinë nëse nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për zgjidhje dhe normalizim me Kosovën.

Për Tadiç-in, kjo që e ka thënë Vuçiç tregon se “Serbia është një shtet i poshtuar”.

“Ajo që ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shantazhet e dërguara Serbisë për të pranuar planin evropian për Kosovën, tregon se Serbia në këtë qeverisje është një shtet tërësisht i poshtëruar, ka shkruar Tadiç.

“Vuçiç ka një dekadë që mburret se Serbia gjatë sundimit të tij ishte një vend i respektuar, të cilin askush nuk mund ta poshtërojë dhe shantazhojë më”, shtoi ai.

Ndryshe, Vuçiç ka theksuar se “pesëshja e madhe” e diplomatëve që e vizituan i kanë thënë se “duhet ta pranosh këtë plan, sepse nëse nuk e pranon kornizën e re të negociatave për rrugën drejt Evropës do të përballesh me: Numri një – ndërprerje e procesit integrues në Evropë. Nën dy – me ndalim dhe tërheqjen e investimeve. Nën tre – Me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin ekonomik dhe politik që do të shkaktojnë dëme të mëdha në Republikën e Serbisë”.

Siç e shpjegoi Vuçiç para mediave, pesë diplomatët qysh në fjalinë e dytë i kanë thënë se “plani duhet pranuar”.

“Në fjalinë e dytë që më është komunikuar është thënë – duhet ta pranoni këtë plan”.

Më pas, shtoi presidenti serb, “tre herë të tjera është përmendur e njëjta gjë gjatë takimit”.

Ai shtoi se ka pranuar që t’i vazhdojë bisedimet në Bruksel, sepse “Serbia nuk duhet të mbetet e izoluar”.

Vuçiç tregon çfarë i thanë Lajçak e Escobar: Do kemi tri dënime të forta po s’e pranuam propozimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore