Shqipëria

Tabaku për integrimin në BE: Të mos ndahemi nga Maqedonia e Veriut


Deputetja e Partisë Demokratike (PD), Jorida Tabaku, të enjten e 21 prillit ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në një deklaratë për mediat, ku theksoi se Shqipëria nuk duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut.

Sipas saj, para disa viteve ishte pikërisht vendi ynë që pengoi hapjen e tyre të negociatave.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin në të njëjtin grup, Shqipëria disa vite më parë dështoi Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që i takon tani Shqipërisë të presim. Unë gjykoj që duhet të vijojmë përpjekjet me të gjitha shtetet që janë pjesë e këtij rajoni gjeografik”, tha Tabaku.

Sipas saj, ligjvënësit evropianë njohin faktin që duhet një luftë e pa kompromis me korrupsionin.

“Ata solidarizohen me mediat që janë pre e sulmit, presioneve nga ana e qeverisë. Ngre shqetësim për ligjin e mediave. Shprehin me shqetësim faktin që Shqipëria ka rënë me 27 vende sa i përket korrupsionit. Shprehin shqetësim për reformën zgjedhore dhe territoriale”.

Më 11 prill, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se, nëse deri në muajin qershor nuk do të hapen negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë, qeveria shqiptare do të kërkojë ndarjen nga oferta e përbashkët me Maqedoninë e Veriut.

Kjo deklaratë e Ramës erdhi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore