Aplikacione

T-Mobile paditet nga një punonjëse për diskriminim gjinor


Në një dyqan T-Mobile në Fort Worth, Texas, një përfaqësuese e shitjeve ka ngritur një padi diskriminimi gjinor kundër kompanisë pasi një anëtar i ekipit të Burimeve Njerëzore e pyeti në mënyrë të papërshtatshme atë në lidhje me të paturit të një llogarie OnlyFans.

The Verge, faqe kushtuar teknologjisë, tregon se Caitlyn Stevens kishte punuar në T-Mobile për gati shtatë vjet kur një kolegu i saj mashkull u nxeh me të për mënyrën se si po ndërvepronte me klientët.

Sipas ankesës, ai iu afrua asaj “në një mënyrë fizikisht agresive”, duke detyruar një koleg tjetër të ndërhynte dhe ta ndalonte burrin ta godiste.

Stevens nuk e ka lënë incidentin të kalonte në heshtje, por e ka raportuar te menaxheri i dyqanit. Por, ai në vend që të disiplinonte kolegun mashkull që pretendohej se ishte përpjekur ta lëndonte atë, zhvendosi Stevens-in në një vend tjetër.

Mirëpo, vendndodhja e re kishte më pak konsumatorë, duke rezultuar në më pak shitje për punonjësit.

“Nuk u ndjeva sikur ishte e drejtë që shkova në një vend më të ngadaltë bazuar në atë që sapo kishte ndodhur”, shpjegon ajo në një intervistë për The Verge.

Kur Stevens-i paraqiti një ankesë te Burimet Njerëzore, një burrë në ekip e thirri atë dhe filloi të bënte pyetje në lidhje me jetën e saj personale, duke përfshirë edhe pyetjen nëse ajo kishte një “sugar daddy” dhe nëse ajo kishte një llogari në OnlyFans.

Ajo ka treguar se u trondit nga kjo dhe se ja nisi të qante. Madje, edhe pse i tha se nuk ndihej aspak rehat, ai vazhdoi të bënte ende pyetje.

Sipas Stevens-it, përfaqësuesi mashkull i burimeve njerëzore i kishte thënë se “ne kemi dëgjuar që keni një llogari të OnlyFans, është e vërtetë?”, pastaj ka shtuar se “ne kemi dëgjuar që njerëzit kanë parë fotografi nudo të tuat”.

“Unë u ndjeva e ngacmuar seksualisht, nuk u ndjeva mirë”, ka thënë ajo. “Natyra e pyetjeve, kur unë jam duke raportuar fjalë për fjalë një sulm fizik, nuk është në rregull”.

Nga ana tjetër, avokati i Stevens-it, Vincent White, një partner në White, Hilferty dhe Albanese, është shprehur se incidenti tregon që T-Mobile doli në krah të kolegut mashkull.

“T-Mobile zgjodhi të qëndrojë me një burrë që kishte një histori dhune në vendin e punës mbi një grua që ishte një performuese e lartë në kompani për shtatë vjet”, ka thënë ai në një deklaratë.

Gjithashtu ka shtuar se “jeta personale e Caitlyn Stevens-it nuk kishte asnjë lidhje me funksionimin e dyqaneve, ndërsa kërcënimi i kolegëve me dhunë pengon produktivitetin dhe mirëqenien e të gjithë vendit të punës”.

“Unë mendoj se ajo zgjodhi një rrugë shumë më të vështirë këtu, por ajo e kupton që ky është tregues i një trendi më të gjerë me të cilin po përballen shumë gra dhe që duan fort të ndryshojnë kulturën duke treguar historinë e saj”, ka thënë Ariella Steinhorn, themeluese e Lioness Strategies, një firmë e komunikimeve që ndihmon në çështjen e Stevens-it.

Ndërkohë, për shkak të stresit të situatës, Stevens-i ka marrë një pushim mjekësor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore