Lajme

Szunyog pas takimit me Abdixhikun: Opozita të jetë konstruktive në proceset demokratike


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, e ka uruar për postin kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Gjatë takimit Szunyog shtoi se është shumë e rëndësishme formimi i shpejtë i institucioneve të Kosovës, duke bërë thirrje që opozita të jetë konstruktive dhe të marrë pjesë në proceset demokratike.

“E urova kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për postin e tij të ri. Shpreha rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe pjesëmarrjen konstruktive të opozitës në proceset demokratike. Mezi pres të kemi bashkëpunim të ngushtë”, shkroi Szunyog në Twitter.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky subjekt politik do të vendosë të shtunën nëse do të përkrahë Vjosa Osmanin për presidente të vendit.

“Të shtunën kemi konsolidimin e kryesisë dhe aty do të marrim vendimin. Ajo çfarë ne synojmë është të shmangim zgjedhjet, të formojmë institucionet demokratike”, tha Abdixhiku në konferencën për medie.

Abdixhiku të premten do të takohet me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmanin.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 22 mars. Për konstituimin e këtij organi duhen minimalisht 61 vota nga 120 deputetë sa ka kuvendi. Me shumicë të thjeshtë mund të zgjidhet edhe Qeveria e Kosovës.

Ndërsa për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës duhet të ketë 80 deputetë prezentë në sallën plenare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore