Lajme

Szunyog: Jemi dëshmitarë të një trendi shqetësues ku Qeveria kritikon vendimet e gjykatave


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog në një takim me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka diskutuar për zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, duke thënë se “janë dëshmitarë” të një trendi shqetësues ku anëtarët e Qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave.

Përmes një komunikate për media nga KGJK-ja, është thënë se Szunyog ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit është gur themeli i sundimit të ligjit dhe një kërkesë esenciale për çdo shoqëri demokratike, ambasadori i BE-së në Kosovë ka thënë: ‘Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një trendi shqetësues ku anëtarët e qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave, zhvillimin e hetimeve në vazhdim apo edhe prokurorët dhe gjyqtarët individualë”.

“Gjyqësori duhet të jetë i lirë nga presioni politik, në mënyrë që të respektohet ndarja e pushteteve dhe sistemi i kontrolleve dhe balancave”, thuhet në komunikatë.

Zogaj dhe Szunyog, po ashtu biseduan për procesin e reformave në vazhdim dhe planet që kanë për sistemin e drejtësisë.

“Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për procesin e reformave në vazhdim dhe planet e investimeve në sistemin e drejtësisë me qëllim përmirësimin e qasjes në drejtësi. Në këtë drejtim, ambasadori i BE-së në Kosovë rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, duke përfshirë edhe përmes disa projekteve të financuara nga BE-ja”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu konsideron se deklaratat e Qeverisë së Kosovës për vendimet e gjykatave apo veprimet e sistemit të drejtësisë, s’paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu, në konferencën e publikimit të raportit “(Mos) zbatimi Aurela i Strategjisë së Sundimit të Ligjit në Praktikë”, ka thënë se deklaratat e Qeverisë nuk duhet të thuhen se janë të tilla.

“Sa i përket çështjes së të asaj që thuhet në raport se deklaratat e Qeverisë për vendimet e gjykatave apo veprimet e sistemit të drejtësisë janë ndërhyrje në drejtësi, Gëzimi tha se është qartazi ndërhyrje në sistemin e drejtësisë , unë them qartazi nuk paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Ajo ka sqaruar se qëllimi i tyre është që të ngrisin vigjilencën, llogaridhënien, profesionalizimin, meritokracinë dhe transparencën e institucioneve të drejtësisë.

Më 9 gusht, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në adresimin e tij në mbledhjen e Qeverisë e kishte kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë për “mungesë efikasiteti”.

Ai ka thënë se raportet e ndryshme kredibile ndërkombëtare dhe vendore po e konstatojnë se drejtësia në Kosovë, vazhdon të jetë “joefikase dhe e ngadaltë” e që përshkruhet me fenomenin e rasteve të ndryshme që shkojnë në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore.

Në lidhje me dy vrasjet e fundit në Prishtinë e Klinë që kishin ndodhur në muajin gusht ku të dyshuarit e përfshirë kishin të kaluar kriminale, Kurti tha se ka shumë persona me precedent të shumë penalë që duke lëvizur lirshëm rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore