Lajme

Sytë e botës nga hapësira, Richard Branson shkon përtej limiteve


Manjati i njohur i kompanisë Virgin, Richard Branson, një fanatik i jetës së riskut dhe udhëtimeve të pazakonta, do të kaplojë sytë e botës kur në hapësirë, do të shihet silueta e anijes së tij kozmike “Virgin Galactic”, të dielën e 11 korrikut.

Kompania Virgin pretendon të ofrojë udhëtime të tilla për klientë të thjeshtë. Mirëpo, Branson, pati deklaruar më parë se “eksperienca duhet testuar nga ai, në mënyrë që të sigurohet se të gjithë kushtet janë përmbushur dhe nuk ka asnjë rrezik për klientët potencialë”.

Kështu, manjati, do të mundë “rivalin” e tij, Jeff Bezos, në garën hapësinore të miliarderëve. Bezos, ish kreu i Amazon, do të ndërmarrë një mision të ngjashëm më 20 korrik.

Branson nga ana tjetër, do të ngrihet nga një bazë aeronautike në New Mexico. Fluturimi pritet të ndodhë rreth orës 07:00 me atë lokale në SHBA.

Në Evropë, në varësi të meridianit kohor, pritet që ngjarja të fillojë rreth orës 14:00-16:00.

I gjithë fluturimi do të mund të ndiqet në transmetim të drejtpërdrejtë, në faqen e Virgin Galactic.

Ky projekt i Branson daton që në vitin e largët 2004. Atëherë, ai pati deklaruar se do të bënte të mundur një fluturim hapësinor brenda vitit 2007. Por, një sërë problematikash ndodhën. Defekte të shumta me programin e shtynë përtej të menduarës misionin.

Përtej kësaj, 17 vjet më vonë tashmë, Branson dhe ekipi i tij janë gati t’i japin jetë gjeneratës së re të udhëtimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore