Lajme

Sveçla: Situata në Veri vazhdon të jetë e brishtë për shkak të qasjes destruktive të Serbisë


Situata në Veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa për këtë e ka bërë fajtore Serbinë, për siç ka thënë ai qasje destruktive.

“Situata në Veri është e qetë, por e brishtë për shkak të një qasje destruktive të Beogradit karshi Kosovës, karshi edhe qytetarëve tanë me kombësi serbe”, tha Sveçla në një intervistë për News 24.

“Beogradi dhe Vuçiç kanë përdorur serbët e Kosovës, këtë territor që të shkaktojnë tensione në rajon dhe më gjerë, duke dashur ta shantazhojnë Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare”, shtoi kreu i MPB-së.

Tutje, Sveçla ka shtuar se vendimet për targat dhe dinarin janë normale të një vendi që aspiron të jetë pjesë e Bashkimi Evropian dhe pjesë e NATO-s, derisa ka shtuar se “ne kemi marrë besimin nga qytetarët për këtë”.

“Nuk aspirojmë asgjë më shumë se sa të jemi një vend demokratik, ku rendi dhe ligji sundon. Dhe qoftë vendimi për dinarin, qoftë vendimet e mëhershme për targat, për energjinë elektrike, janë vendime më se normale të një vendi që aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, potencoi Sveçla.

Ndryshe, për sulmin terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, derisa krimineli Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.

Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet.

Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallu ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore