Shqipëria

Sveçla e Balla s’i komentojnë raportet Kurti-Rama: Mërgimtarët presin që të gjejmë zgjidhje, për çështje të tjera kemi kohë të flasim


Xhelal Sveçla dhe Taulant Balla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, së bashku me homologun e tij nga Shqipëria, Taulant Balla, të hënën kanë vizituar pikën e përbashkët kufitare në Vërmicë, derisa janë zotuar që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura ndërmjet dy qeverive.

Ministrat kanë refuzuar të japin komentet e tyre për relatat midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me arsyen se për këtë çështje dhe të tjera të ngashme, do të diskutojnë herën tjetër kur të takohen.

“Është gjë e mirë që ka shkëmbim të madh mes dy anëve të kufirit. Mërgimtarët presin prej neve që të gjejmë zgjidhje, për çështje të tjera kemi kohë të flasim. Ne duhet t’i bëjmë realitet marrëveshjet për të cilat kryeministrat janë dakorduar”, ka thënë ministri Balla para gazetarëve të pranishëm në pikën e përbashkët kufitare.

Ndërkaq, ministri Sveçla ka potencuar se ndonëse ka “opinion të kualifikuar” për këtë çështje, do të flasë një herë tjetër, ngase siç theksoi edhe homologu i tij shqiptar, qëllimi i takimit ishte gjetja e zgjidhjes që mërgimtarët të mos presin me orë të tëra në pikën kufitare.

“Kemi shumë marrëveshje të nënshkruara dhe po punojmë që marrëveshjet të implementohen. Nuk kemi shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që presin në radhë, por problem është me mërgimtarët që vijnë për pushime. Ne kemi vullnetin më të mirë që mërgimtarëve tonë t’iu shërbejmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore