Përballje

Sulmuesi shqiptar shënon gol të bukur në fitoren e ekipit të tij në Ligën e Kampionëve


Sulmuesi shqiptar, Redon Xhixha, ishte protagonist në fitoren e ekipit të tij, Qarabag, në udhëtim te skuadra nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, me rezultat 1:2, takim ky i rrethit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Xhixha e nisi titullar këtë sfidë, derisa ekipi i tij nga Azerbajxhani ishte duke humbur që nga minuta e 25-të nga vendasit e Gjibraltarit.

Ish-sulmuesi i Tiranës realizoi në minutën e 58-të të sfidës, duke shënuar një gol të bukur për ta barazuar rezultatin.

Megjithatë, tre minuta më vonë Redoni u zëvendësua për t’ia liruar vendin algjerianit, Yassine Benzia-s, i cili në sekondat e fundit të ndeshjes e shënoi golin e fitores.

Pa dyshim që ky është një sukses i madh për skuadrën e Xhixhës, që ndeshjen e ardhshme si vendas do ta luajnë me një avantazh të krijuar nga takimi i parë.

Kujtojmë që sulmuesi i lindur në Laç iu bashkua Qarabag-ut në janar të këtij viti nga Tirana për shumën e 550 mijë eurove.

Ai në total ka luajtur 15 ndeshje me fanellën e ekipit azer, prej të cilave ka shënuar një gol dhe ka dhuruar tre asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore